Lidhje


Rubio mbron revokimin e vizës së studentes turke për kritikat ndaj Izraelit

Ozturk u arrestua pas një fushate nga ‘Canary Mission’, një faqe interneti pro-izraelite që fut në listën e zezë studentët dhe aktivistët pro-Palestinës, pas një artikulli që ajo shkroi duke kritikuar Izraelin  Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka konfirmuar revokimin e vizës së studentes turke Rumeysa Ozturk dhe mbrojti arrestimin e saj pas artikullit të saj që kritikonte Izraelin. “Ne ia revokuam vizën”, tha Rubio në një konferencë për media në Guajana, duke iu referuar vizës studentore F1 të studentes turke.

 

“Ne ju japim një vizë për të ardhur të studioni dhe të merrni një diplomë, jo për t’u bërë një aktivist social që shqyen kampuset tona universitare”, tha Rubio.

 

Ai mbrojti vendimin për revokimin e vizës, duke theksuar se studentët e huaj që angazhohen në aktivizëm duke prishur jetën universitare do të përballen me pasoja të ngjashme.

 

“Nëse aplikoni për vizë për të hyrë në SHBA dhe për të qenë student dhe na thoni se arsyeja pse po vini në SHBA nuk është vetëm sepse doni të shkruani opinione, por sepse doni të merrni pjesë në lëvizje që janë të përfshira në bërjen e gjërave si vandalizimi i universiteteve, ngacmimi i studentëve, marrja përsipër e ndërtesave... ne nuk do të t’ju japim vizë”, tha Rubio.

 

"Nëse na gënjeni dhe merrni një vizë, më pas hyni në SHBA dhe me atë vizë merrni pjesë në atë lloj aktiviteti, ne do t'ju revokojmë vizën", shtoi ai.

 

Megjithatë, Rubio nuk dha asnjë provë që e lidh studenten Ozturk me dhunën. Miqtë dhe familja e saj thonë se ajo u arrestua pas një fushate nga ‘Canary Mission’, një faqe interneti pro-izraelite që fut në listën e zezë studentët dhe aktivistët pro-Palestinës, pas një artikulli që ajo shkroi duke kritikuar Izraelin.

 

Në vitin 2024, Ozturk ishte bashkë-autore e një shkrimi për gazetën e Universitetit Tuft, duke i kërkuar universitetit të pranojë atë që ajo e përshkroi si gjenocid palestinez dhe që të largohet nga kompanitë me lidhje me Izraelin.

 

Ozturk, një studente e doktoraturës në Universitetin Tufts, sipas avokates së saj Mahsa Khanbabai, u arrestua nga forcat e Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) të martën vonë pranë shtëpisë së saj në Somerville derisa po shkonte për një darkë iftari.

 

Ajo u arrestua nga agjentë federalë të maskuar në mes të ditës, me autoritetet që pretendojnë se ajo ishte e përfshirë në aktivitete në mbështetje të grupit palestinez Hamas, një akuzë që familja dhe avokatët e saj e mohojnë fuqimisht.

 

Sipas avokates së studentes, asnjë akuzë nuk është ngritur kundër saj. Një video virale ka kapur momentet e ndalimit të saj, ku shfaqen persona të maskuar duke e vënë në pranga dhe duke i marrë me forcë telefonin.

 

Faqja e internetit ICE Locator tregoi se Ozturk po mbahej në një strukturë paraburgimi në Luiziana./AA

XS
SM
MD
LG