Zgjedhjet parlamentare të 11 majit, publikohet lista përfundimtare e votuesve! Ja sa qytetarë kanë të drejtë vote

Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, të drejtën e votës e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Ndër këta shtetas, 114,642 qytetarë më të drejtë vote do tu drejtohen qendrave të votimit për herë të parë, ndërsa 1,081 shtetas janë të papërfshirë, për shkak të dekriminalizimit. Rikujtojmë se për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori, zgjedhësit që jetojnë brenda vendit dhe ata që jetojnë jashtë vendit.
Publikohet Lista Përfundimtare e Zgjedhësve, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, 11 Maj 2025
Ministria e Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin, datë 11 Maj 2025, për votuesit brenda vendit.
Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, ndër ta:
– 114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë;
– 1,081 shtetas të papërfshirë, për shkak të dekriminalizimit;
– 5,225 është numri i qendrave të votimit.
Procesi i hartimit të listës përfundimtare të zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve të KQZ-së, duke kaluar në disa faza në zbatim të dekretit të Presidentit, përmes publikimeve të 3 ekstrakteve të përbërësve zgjedhore.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori:
– Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit;
– Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit.
Lista përfundimtare përmbyll procesin e hartimit dhe shpalljes së Listës së Zgjedhësve. DPGJC në çdo bashki vijon të përmbushë detyrimet mbi përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore.
Ndërkohë qytetarët mund të aplikojnë apo rinovojnë Letërnjoftimet elektronike të skaduara, si një nga 2 dokumentet biometrike, që përdoren për identifikimin e votuesve në zgjedhjet e 11 majit.
Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve të identitetit “IdentiTek” mbeten të angazhuara në përmbushje të standardeve më të larta, të këtij procesi të rëndësishëm./Panorama