Lidhje


Bullgaria mohon informacionet se planifikon t'i bashkohet marrëveshjes së mbrojtjes Kosovë-Shqipëri-Kroaci

Bullgaria ka hedhur poshtë informacionet se po planifikon t’i bashkohet marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes të nënshkruar muajin e kaluar midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Siç raporton Agjencia Bullgare e Lajmeve (BTA), ministri i Jashtëm Georg Georgiev ka thënë të martën se informacionet që sugjerojnë se Bullgaria ka shprehur interesim jozyrtar për deklaratën mbi bashkëpunimin e mbrojtjes midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë janë të pasakta.

 

Reagimi i tij ka ardhur në një përgjigje me shkrim ndaj disa deputetëve.

 

"Bullgaria është në dijeni të nismës së Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës dhe po analizon me kujdes tekstin e Deklaratës së Përbashkët të nënshkruar nga ministrat e mbrojtjes të tri vendeve në Tiranë më 18 mars 2025. Informacioni publik që sugjeron se Bullgaria ka shprehur interes jozyrtar për t’iu bashkuar deklaratës është i pasaktë", ka thënë Georgiev.

 

Siç ka thënë Georgiev, Ministria e Jashtme ka marrë një kopje zyrtare të dokumentit të nënshkruar përmes një note verbale nga Ambasada e Shqipërisë në Sofje më 25 mars, por "nuk është kontaktuar apo konsultuar Ministria apo pala bullgare në lidhje me iniciativën nga propozuesit e saj dhe as nuk është bërë ndonjë ftesë zyrtare për anëtarësim".

 

Ndryshe, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia më 18 mars në Tiranë kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

 

Sipas një njoftimi zyrtar pas nënshkrimit, ky bashkëpunim synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tri vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon./AA

XS
SM
MD
LG