Gjashtë vende evropiane i thonë “Jo” çdo ndryshimi demografik apo territorial në Rripin e Gazës

Gjashtë vende evropiane, përfshirë Spanjën, Irlandën dhe Norvegjinë, dënuan sot planin e ri të Izraelit për pushtimin e Rripit të Gazës, duke theksuar se “kundërshtojnë kategorikisht çdo ndryshim demografik apo territorial” që mund të përbëjë “shkelje të së drejtës ndërkombëtare”. Të hënën, qeveria izraelite shpalli një fushatë të re ushtarake me qëllim “pushtimin” e Rripit të Gazës, që do të përfshijë zhvendosjen masive të popullsisë brenda enklavës.
Zbatimi i këtij plani, që parashikon “themelimin e një pranie të zgjatur izraelite” në enklavën palestineze, do të përbënte “kalimin e një vije të re të kuqe”.
“Duke rrezikuar çdo perspektivë për një zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete”, thanë ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve evropiane në një deklaratë të përbashkët.
Kjo do të përfaqësonte “një përshkallëzim të ri ushtarak”, që “vetëm do të përkeqësonte një situatë tashmë katastrofike për popullsinë civile palestineze dhe do të vinte në rrezik jetën e pengjeve që vazhdojnë të mbahen rob”, theksuan ministrat e Jashtëm të Spanjës, Irlandës, Norvegjisë, Islandës, Sllovenisë dhe Luksemburgut.
Katër prej këtyre vendeve (Spanja, Irlanda, Norvegjia dhe Sllovenia) e njohën shtetin palestinez pothuajse një vit më parë, duke ndjekur shembullin e Islandës, që e njohu Palestinën në vitin 2014. Luksemburgu, nga ana e tij, ka deklaruar se është i gatshëm ta bëjë këtë, por vetëm pasi të jenë liruar të gjithë pengjet izraelite.