Putin: Rusia dhe Ukraina duhet të takohen për të negociuar një paqe të qëndrueshme

Presidenti rus Vladimir Putin e ka ftuar Ukrainën të marrë pjesë në “bisedime të drejtpërdrejta” më 15 maj, disa orë pasi udhëheqësit evropianë i kërkuan Moskës të binte dakord për një armëpushim 30-ditor. Në një fjalim të rrallë televiziv nga Kremlini vonë natën, Putin tha se Rusia po kërkonte “negociata serioze” që synojnë “të ecin drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të fortë”.
Më herët të shtunën, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, udhëtoi për në Kiev me homologët e tij nga Franca, Gjermania dhe Polonia për të ushtruar presion mbi Rusinë që të angazhohet për një armëpushim pa kushte, duke filluar nga e hëna.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më vonë se Moska do të “duhet ta mendojë mirë këtë”, por paralajmëroi se “përpjekja për të na bërë presion është mjaft e padobishme”.
Në deklaratën e tij, Putin tha se nuk mund ta “përjashtonte” mundësinë që bisedimet të rezultojnë në një marrëveshje midis Rusisë dhe Ukrainës për “një armëpushim të ri”.
Udhëheqësi rus tha se bisedimet e propozuara duhet të mbahen në qytetin turk të Stambollit, siç kanë ndodhur më parë, dhe se ai do të flasë me Presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, të dielën për të diskutuar detajet.
Kievi nuk i është përgjigjur ftesës./euronews