Katër muaj udhëtim me biçikletë: I riu nga Guinea përshkon 6 shtete për të studiuar në Al-Azhar të Egjiptit
I riu Muhamed Shafi Bari nga Guinea udhëtoi 5.000 kilometra me biçikletën e tij për të arritur në kryeqytetin egjiptian Kajro dhe për të përmbushur ëndrrën e tij për të studiuar në Universitetin prestigjioz Al-Azhar.
Ky 25-vjeçar u largua nga vendlindja e tij Conakry më 17 maj me dëshirën për të studiuar në Al-Azhar, i cili është një nga institucionet më të vjetra dhe më prestigjioze të arsimit të lartë në botë.
Shafi Bari është i martuar dhe baba i një fëmije dhe dëshirën për të studiuar në Al-Azhar e ka marrë nga ligjëratat frymëzuese të dijetarit Sheijh Muhamed Muteveli Al-Sharavi.
“Mësimi i Kuranit i Shejh Al-Sharaviut, tefsiri i tij (interpretimi i Kuranit) dhe thirrja e njerëzve në besim është diçka që unë dua ta ndjek. Kjo është arsyeja pse vendosa të vij në Egjipt dhe të studioj”, tha Shafi Bari në një bisedë me Anadolu.
Gjatë udhëtimit të tij me biçikletë, Shafi Bari ka udhëtuar nëpër Guine, Burkina Faso, Togo, Benin, Niger dhe Çad.
“Kishte shumë vështirësi. Kam fjetur vetëm në pyll dhe në kodra. Më së shumti kisha frikë se mos ma vidhnin biçikletën dhe për këtë arsye nuk e lija as kur flija. Kam ngrënë një ose dy herë në ditë dhe ka qenë e vështirë të gjej ujë për t’u larë”, tregon Bari.
- Arrestimi, mbijetesa me fruta, ndryshimi i rutës për shkak të përleshjeve
Ndërsa po pedalonte nëpër Togo, Shafi Bari u ndalua nga forcat e sigurisë atje dhe u mor në pyetje për qëllimet dhe arsyet e udhëtimit.
“Më bënë shumë pyetje. Unë iu përgjigja të gjithave, por nuk arrita t’i bindja. Pas nëntë ditësh më liruan nga paraburgimi dhe prej aty shkova në Benin”, tha ai.
Në Benin ai nuk ka pasur probleme të tilla, por ka pasur vështirësi në gjetjen e ushqimit, ndaj është ushqyer kryesisht me frutat që ka gjetur në pyje.
Shafi Bari nga Guinea mbërriti në Çad për rreth dy muaj me biçikletën e tij dhe iu desh të ndryshonte rrugën për shkak të përleshjeve që shpërthyen në Sudan midis ushtrisë dhe rebelëve.
“Planifikova të qëndroj në Çad për dy javë dhe të vazhdoj udhëtimin tim. Nuk kisha frikë nga përplasjet në Sudan, sepse erdha nga Guinea në Çad pa asgjë. Mendova me vete, Allahu më ndihmoi për në Çad, kështu që do të më ndihmojë të arrij në Egjipt”, tha Shafi Bari.
Megjithatë, një gazetar që takoi në Çad nuk e lejoi të shkonte në Egjipt nëpërmjet Sudanit, por e ndihmoi të gjente donator, i cili i bleu biletë avioni për një fluturim nga Çadi në Egjipt.
- “Do të kisha ecur nëse nuk do të kisha biçikletë”
Ndonëse në Guine la pas gruan dhe vajzën, Shafi Bari shprehet i lumtur që më në fund pas katër muajsh mbërriti në Kajro dhe plotësoi dëshirën.
“Mbërrita në Egjipt gjallë dhe mirë. Mblodha dokumentacionin e nevojshëm dhe u regjistrova në Al-Azhar. Jam pranuar. Kam ardhur me biçikletë, por edhe të mos kisha, do të kisha ardhur në këmbë”, tha në fund Shafi Bari.
Burimi: AA