Ursula von der Leyen mbërrin në Tiranë, Presidentja e KE publikon foto nga kryeqyteti, por fsheh kullën pas Sahatit

Lajmin e ka dhënë vetë ajo përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar një foto nga kryeqyteti. “Në Tiranë për takimin e Komunitetit Politik Evropian”, ka shkuar ajo, ndërsa shton se ky takim është i pari në Ballkanin Perëndimor, të cilin e ka cilësuar si simbol të fuqishëm për Shqipërinë. Tirana do të mirëpresë më 16 maj Samitin e 6-të të Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje e rëndësishme që sjell në kryeqytetin shqiptar 47 liderë nga i gjithë kontinenti.
Axhenda e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë
Samiti, i organizuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa dhe Kryeministri Edi Rama, do të mbahet në sheshin “Skënderbej”, nën moton “Evropa e re në një botë të re: unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”.
Agjenda zyrtare e samitit parashikon nisjen e ceremonisë hapëse në orën 11:00, e ndjekur pas 45 minutash nga seanca plenare e parë, ku liderët do të diskutojnë mbi sigurinë dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen e Evropës.
Pas drekës, janë planifikuar takime bilaterale, ndërsa në orën 18:30 do të mbahet konferenca përmbyllëse e përbashkët nga Kryeministri Rama dhe homologu i tij danez.
Ambientet e samitit janë ngritur pas monumentit të Skënderbeut, ndërsa pjesa ballore e tyre është dekoruar me vizatime të nxënësve shqiptarë mbi perceptimin e tyre për Evropën.
Tryezat tematike të nivelit të lartë do të trajtojnë sfidat e sigurisë dhe qëndrueshmërisë demokratike në Evropë, konkurrueshmërinë dhe sigurinë ekonomike, lëvizshmërinë, si dhe fuqizimin e të rinjve në nivel kontinental. Pjesëmarrja në këtë samit konfirmon rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Shqipërisë në proceset politike evropiane.
Të pranishëm do të jenë liderë si Kryeministri britanik Keir Starmer, Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, Kryeministri polak Donald Tusk, Presidenti turk Recep Tayip Erdogan dhe shumë të tjerë.
Komuniteti Politik Evropian u krijua si platformë e përbashkët politike për të forcuar bashkëpunimin dhe stabilitetin në kontinent.
Takimi në Tiranë është dëshmi e rolit strategjik të Ballkanit në arkitekturën e sigurisë dhe bashkëpunimit evropian.
Axhenda e Samitit, e Premte, 16 Maj:
10:00: Mbërritja e delegacioneve
11:15: Ceremonia e hapjes
11:40: Fotografia e përbashkët familjare
11:45: Seanca e parë plenare
13:15: Drekë zyrtare
14:30: Tryeza e dytë tematike
15:30: Takime bilaterale mes Kryeministrave të Delegacioneve
17:30: Seanca plenare e mbylljes
18:45: Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryeministrin e Danimarkës (vendin pritës për samitin e ardhshëm).