Lidhje


BE këmbëngul për zgjidhjen me dy shtete / Ndërsa Netaniahu dënon BE-në për këmbënguljen

Ministrat e Jashtëm të BE-së i kërkuan të hënën Izraelit të jetë i gatshëm për një zgjidhje eventuale me dy shtete me palestinezët pas luftës në Gaza, në takimet me diplomatët më të lartë nga të dy palët dhe shtetet kryesore arabe në Bruksel. Sulmi i papritur i Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit dhe reagimi i mëpasshëm shkatërrues ushtarak nga Izraeli e ka zhytur Lindjen e Mesme në trazira të reja dhe ka ngjallur frikën e një konflikti më të gjerë.

 

Por ndërsa gjakderdhja duket se e ka larguar më tej një zgjidhje afatgjatë, zyrtarët e BE këmbëngulin se tani është koha që të flasim për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit izraelito-palestinez.

Ministrat e Jashtëm të Egjiptit, Jordanisë dhe Arabisë Saudite po zhvillojnë gjithashtu bisedime me ministrat evropianë.

 

Kryeministri izraelit Benjamin Netaniahu ka dënuar qëndrimet e  Kombeve të Bashkuara dhe ka sfiduar mbështetësin kryesor të Shteteve të Bashkuara duke hedhur poshtë thirrjet për një shtet palestinez.

 

Sulmi i Izraelit në Gaza ka lënë të vdekur mbi 25,000 palestinezë, shumica dërrmuese gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

 

Netaniahu është zotuar për "fitore të plotë" mbi Hamasin pas sulmeve nga luftëtarët e lëvizjes militante më 7 tetor që rezultuan në vdekjen e rreth 1,140 njerëzve, kryesisht civilë, sipas një raporti të AFP-së bazuar në shifrat zyrtare izraelite.

 

 

BE-ja është përpjekur për një qëndrim të bashkuar përsa i përket konfliktit në Gaza, pasi mbështetësit e vendosur të Izraelit, si Gjermania, kanë refuzuar kërkesat për një armëpushim të menjëhershëm të bërë nga Spanja dhe Irlanda.

 

 

Por gjithsesi ekziston një mbështetje e përgjithshme në bllok për zgjidhjen me dy shtete.

 

“Zgjidhja me dy shtete është zgjidhja e vetme ndërsa ata që nuk duan tia dinë për të, nuk kanë dalë ende me ndonjë alternativë tjetër”, tha ministrja e Jashtme gjermane, Analena Baerbock.

 

Borrell artikuloi atë që ai e quajti një "qasje gjithëpërfshirëse" drejt arritjes së paqes duke përfshirë komunitetin ndërkombëtar, mbajtjen e një konference që do të nxirrte një plan i cili do t'u imponohej si izraelitëve ashtu edhe palestinezëve.

 

Komuniteti ndërkombëtar duhet të përcaktojë përfundimisht pasojat që parashikon angazhimi ose mosangazhimi me planin e paqes nga secila palë.

 

 

Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Aiman Safadi, tha se "vazhdimi i masave të Izraelit për të minuar zgjidhjen me dy shtete po e penalizon të ardhmen e rajonit drejt më shumë konflikteve dhe më shumë luftë".

 

 

“E gjithë bota thotë se e vetmja rrugëdalje nga ky mjerim është zgjidhja me dy shtete. Pra, partia që po qëndron kundër të drejtave të të gjithë popujve të rajonit, përfshirë izraelitët, për të pasur paqe nuk mund të konsiderohet thjesht si e papërgjegjshme”, tha ai.

 

 

Analiza nga alarabiya

XS
SM
MD
LG