Izraeli çdo muaj, "vjedh" 188 milionë dollarë para të palestinezëve
Të dielën, Izraeli miratoi një plan për të dërguar taksat e parashikuara për Gazën në Norvegji në vend të Autoritetit Palestinez (AP), i cili gëzon një lloj vetëqeverisje të kufizuar në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Që nga nëntori, taksat që do të dërgoheshin zakonisht në Gaza janë ngrirë nga qeveria izraelite. Sipas kushteve të një marrëveshjeje të arritur në vitet 1990, Izraeli mbledh taksat në emër të palestinezëve dhe bën transferta mujore në AP në pritje të miratimit të Ministrisë së Financave.
Ndërsa AP u dëbua nga Rripi i Gazës në 2007, shumë nga punonjësit e sektorit publik në enklavë mbajtën vendet e tyre të punës dhe vazhduan të paguhen me të ardhurat e transferuara nga taksat.
Disa javë pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, Izraeli mori vendimin që të ndalonte pagesat e caktuara për punonjësit e Rripit të Gazës me arsyetimin se mund të binin në duart e Hamasit. Tani, Izraeli thotë se në vend që tia dorëzojë taksat AP-së do t'i dërgojë fondet e ngrira në Norvegji. "Fondet e ngrira nuk do t'i transferohen Autoritetit Palestinez, por do të mbeten në duart e një vendi të tretë", tha zyra e kryeministrit izraelit në një deklaratë të lëshuar të dielën.
Për sistemin me të cilin taksat dhe detyrimet doganore mblidhen nga Izraeli në emër të AP dhe i transferohen autoritetit cdo muaj, u ra dakord në një marrëveshje të vitit 1994.E njohur si Protokolli i Parisit, marrëveshja kishte për qëllim të menaxhonte marrëdhëniet ekonomike midis Izraelit dhe territoreve palestineze që ai pushtoi derisa të arrihet një zgjidhje përfundimtare e paqes midis dy shteteve.
I miratuar nga Marrëveshja e Oslos, e cila u ratifikua publikisht nga kryeministri izraelit Yitzhak Rabin dhe lideri palestinez Yasser Arafat në Shtëpinë e Bardhë në shtator 1993, ky protokoll supozohej të përfundonte brenda pesë viteve.
Megjithatë, 30 vjet më vonë, zgjidhja financiare vazhdon t'i japë shtetit izraelit atë që Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD) e ka quajtur "një ndikim disproporcional në mbledhjen e të ardhurave fiskale palestineze, duke çuar në mangësi për sa i përket mbledhjes së detyrimeve doganore që vijnë nga importimi direkt dhe indirekt në Palestinë.
Të ardhurat nga taksat e mbledhura nga Izraeli në emër të AP arrijnë në rreth 188 milionë dollarë çdo muaj dhe përbëjnë 64 për qind të të ardhurave totale të autoritetit Palestinez.
Një pjesë e madhe e kësaj përdoret për të paguar pagat e rreth 150,000 punonjësve të AP që punojnë në Bregun Perëndimor dhe Gaza, pavarësisht se nuk ka juridiksion mbi Rripin e Gazës.
Më 3 nëntor, kabineti i sigurisë izraelite votoi për të përvetësuar që në burim një total prej 275 milionë dollarësh nga të ardhurat e taksave palestineze, duke përfshirë paratë e mbledhura për muajt e kaluar që ndodheshin ende në Tel Aviv.
Shteti izraelit ka përdorur shpesh kontrollin e tij mbi të ardhurat tatimore të AP-së si një mjet për të shantazhuar dhe ndëshkuar autoritetin.
Në janar 2023, për shembull, qeveria izraelite e sapoformuar – e parë si qeveria e koalicionit më të djathtë në historinë e vendit – vendosi të mbajë në burim 39 milionë dollarë të ardhura tatimore nga AP pas vendimit të autoritetit për të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) për të vendosur mbi ligjshmërinë e pushtimit prej dekadash nga ana e Izraelit.
"Shantazhimi izraelit i të ardhurave tona nga taksat nuk do të na ndalojë të vazhdojmë luftën tonë politike dhe diplomatike," tha kryeministri palestinez Mohammad Shtajeh.
Nga ALjazeera.com