Egjipti i thotë “jo” zhvendosjes palestineze: “Është një vijë e kuqe, nuk do ta lejojmë të ndodhë.”

“Atje po ndodh një gjenocid, vrasje masive të civilëve, një uri artificiale, e shkaktuar nga izraelitët”, theksoi Ministri i Jashtëm Egjiptian. Egjipti po miraton një retorikë më të ashpër ndaj Izraelit, duke deklaruar se nuk do të pranojë zhvendosjen masive të palestinezëve dhe gjenocidin. Ndërhyrja vjen pasi mijëra banorë të qytetit të Gazës sfiduan urdhrat e Tel Avivit për t’u larguar. “Zhvendosja nuk është një opsion dhe është një vijë e kuqe për Egjiptin, dhe ne nuk do ta lejojmë të ndodhë”, u tha gazetarëve në Nikozi Ministri i Jashtëm egjiptian Badr Abdelati.
“Zhvendosja do të thotë likuidimi dhe fundi i kauzës palestineze, dhe nuk ka bazë ligjore ose morale për dëbimin e njerëzve nga atdheu i tyre”, shtoi ai.
“Një gjenocid është duke u zhvilluar atje.”
Ndërhyrja e Ministrit të Jashtëm egjiptian vjen pas kritikave të ashpra të vendit ndaj Izraelit, pavarësisht bashkëpunimit të tij me Katarin dhe Shtetet e Bashkuara për të ndërmjetësuar një armëpushim në luftën gati dyvjeçare.
Ministri egjiptian theksoi se “ajo që po ndodh në terren është shumë përtej imagjinatës. Një gjenocid është duke u zhvilluar, me vrasje masive të civilëve dhe uri artificiale, të shkaktuar nga izraelitët”, tha ai.
Izraeli mohon akuzat për gjenocid dhe këmbëngul se veprimet e tij në Gaza janë të justifikuara si vetëmbrojtje. Ofensiva izraelite në qytetin e Gazës filloi më 10 gusht. Plani parashikon fitoren ndaj Hamasit dhe Izraeli, sipas një zëdhënësi të IDF, kontrollon afërsisht 40% të qytetit./beratitv