Dha jetën për atdhe! Kush është Afrim Bunjaku, polici që u vra nga serbët gjatë detyrës
Afrim Bunjaku është polici i Kosovës që humbi jetën në krye të detyrës, teksa po i bënte ballë serbëve në fshatin Banjska të Leposavçit.
Persona të armatosur i kanë bllokuar rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç. Më pas ata kanë qëlluar në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën Bunjaku.
50-vjeçari nga Samadrexha e Vushtrrisë, me pozicion rreshter, prej vitesh ka shërbyer në uniformat blu të vendit të tij. Babai i dy djemve dhe një vajze ishte transferuar në Zveçan që pas dorëheqjes së bujshme të serbëve nga strukturat policore.
Vetëm para një jave Afrim Bunjaku mori mirënjohje për shërbimin e kryer në Policinë e Kosovës, lajm i cili u bë i ditur nga kolegët e tij, që sëbashku ndanë edhe një foto në grup.
“Dashtë Zoti që ti të jesh dëshmori i fundit që bie në altarin e lirisë”, kanë shkruar ata.
Ndërkohë reagimin më prekës për viktimën që deri në momentet e fundit ishte në dispozicion të Kosovës e ka bërë i afërmi i policit.
I afërmi teksa shpreh pikëllimin për ngjarjen e rëndë, veçon më së shumti punën e bërë në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit, për të cilin thekson se e ka bërë nder e krenari deri në frymën e fundit.
“Të vdesësh për atdhe është sikur të rilindësh përsëri”, është shprehja në të cilën familjarët kanë vendosur ta veçojnë që në nisje të shkrimit, frazë që qëndron në një pankartë të vendosur sot në hyrje të qytetit të Prishtinës në Kosovë.
Burimi: Ora News