Luksemburgu do të njohë shtetin palestinez në samitin e OKB-së në Nju Jork

Luksemburgu ka njoftuar se do t’i bashkohet një grupi vendesh që do të njohin shtetin e Palestinës gjatë samitit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork javën e ardhshme. Lëvizja vjen në kuadër të një presioni ndërkombëtar në rritje ndaj Izraelit, pas vendimeve të ngjashme nga Australia, Britania, Kanadaja dhe Franca. Kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden, tha për Al Jazeera se “një lëvizje po shfaqet tani në Evropë dhe në mbarë botën për të demonstruar se zgjidhja me dy shtete është ende e rëndësishme”.
Ai shtoi se qeveria e vendit të tij synon t’u bashkohet vendeve që do të njohin shtetin palestinez gjatë konferencës së javës së ardhshme për zgjidhjen me dy shtete.
Nga ana tjetër, qeveria izraelite ka kritikuar këtë vendim, duke e cilësuar njohjen e Palestinës si një “shpërblim për terrorizmin e Hamasit”. Aktualisht, 147 nga 193 shtete anëtare të OKB-së e njohin shtetin palestinez.