Lidhje


Trump refuzon raketat ‘Tomahawk’ për Ukrainën: Mund të shkaktojë përshkallëzim

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur rezerva të forta për dërgimin e raketave lundruese “Tomahawk” në Ukrainë, një kërkesë e bërë nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë. Trump e konsideroi këtë veprim të parakohshëm dhe rrezik për përshkallëzim. “Shpresoj të mos kemi nevojë për to,” tha Trump gjatë takimit me Zelenskyn. “Shpresojmë që do të jemi në gjendje ta përfundojmë luftën pa diskutuar për Tomahawk-ët.”

 

Dronët në këmbim të raketave

 

Në konferencën për shtyp, Presidenti Zelensky kishte propozuar që Ukraina mund ta furnizonte SHBA-në me dronë në këmbim të raketave Tomahawk.

 

Megjithatë, Trump theksoi se këto raketa janë “armë shumë të rrezikshme” dhe se dërgimi i tyre mund të çojë në një përshkallëzim të situatës. Ai gjithashtu përmendi se SHBA-ja ka vetë nevojë për këto sisteme armësh, një deklaratë që vjen pas një telefonate të fundit me Presidentin rus, Vladimir Putin.

 

Takimi me Putinin pa Ukrainën

 

Në lidhje me përpjekjet diplomatike, Presidenti Trump njoftoi se së shpejti ka të ngjarë të zhvillojë një takim kokë më kokë me Putinin në Hungari, por theksoi se Ukraina nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në këtë takim.

 

Trump vuri në dukje se marrëdhëniet midis Putinit dhe Zelenskit janë “të helmuara” dhe se ka “shumë armiqësi” mes Moskës dhe Kievit, duke shtuar se duhet që “urrejtja të zhduket.”

 

Ai sugjeroi se të tri palët – Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja – do të përfshihen në bisedime “në një mënyrë ose në një tjetër”, por këto mund të bëhen veçmas. Një takim i mëparshëm mes Trump dhe Putin u zhvillua në Alaskë në gusht, pa arritur ndonjë rezultat konkret./rtsh.al/

XS
SM
MD
LG