Lidhje


Mitet dhe gënjeshtrat për raportin e shqiptarëve me Perandorinë

Nga Lutfi Dervishi

 

Nga fundi i shekullit XIV deri në vitin 1912, pjesa dërrmuese e trojeve shqiptare ishte pjesë organike e Perandorisë Osmane, e njohur në dokumentet osmane si Arnavutluk. Rreth vitit 1430, hapësira gjeografike shqiptare ndahej mes sferës veneciane në Veri dhe kontrollit të drejtpërdrejtë osman në Jug, kontroll që më pas u zgjerua. Pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së Shkodrës më 1479, rezistenca e organizuar përfundoi, duke çuar në integrimin e plotë të territoreve në sistemin osman.

 

Shqiptarët nuk ishin thjesht “të sunduar” gjatë këtyre pesë shekujve. Ata ishin pjesë aktive e aparatit perandorak: oficerë, jeniçerë, pashallarë, vezirë të mëdhenj, deri te dinasti me origjinë shqiptare si familja Qyprilli apo Mehmet Ali Pasha, themelues i Egjiptit modern, i cili krijoi një dinasti 150-vjeçare. Dhjetëra vezirë të mëdhenj ishin me origjinë shqiptare. (“Ju nuk keni qenë anëtarë të Perandorisë, por sundimtarët të saj”, vërejti Eqerem Bej Vlora, ministër i Brendshëm osman në vitin 1908). Kjo krijoi një disbalancë: shqiptarët ishin të mbipërfaqësuar në elitën osmane, ndërkohë që territori i tyre mbetej në skaj të Perandorisë dhe i pazhvilluar.

 

Miti 1: Osmanët barbarë

 

Historiografia e periudhës komuniste e paraqiste pushtimin osman si një akt të egër ushtarak, pa asnjë implikim apo “lojë” lokale. Për komunizmin kemi vetëm “osmanë që bien nga qielli”. Studimet bashkëkohore e sfidojnë këtë narrativë: shumë princër ballkanikë, përfshirë edhe shqiptarë, i ftuan trupat osmane si aleatë në konfliktet e tyre dinastike dhe lokale. Rasti klasik për hapjen e derës së pasme është beteja e Savrës më 1385, ku osmanët hyjnë si aleatë të njërit krah shqiptar kundër tjetrit.

 

Elitat lokale shpesh ruajtën pronat duke u integruar në sistemin osman të timarit. Pushtimi ishte real, por nuk ishte një histori “bardh e zi” (100% viktima kundër 100% barbarëve), por një proces me llogari, interesa, aleanca dhe tradhti.

 

Miti 2: Rezistencë e pandërprerë


Versioni i mësuar në shkolla promovon idenë e një rezistence të vazhdueshme kombëtare nga Skënderbeu deri më 1912 (“400 kryengritje në 500 vjet”). Në të vërtetë, pas vitit 1479, vërehen rreth tre shekuj ku elitat shqiptare ishin kryesisht pjesë e sistemit osman. Rebelimet e mëvonshme (Pashallëqet, Ali Pasha, Bushatllinjtë) ishin luftëra për pushtet, taksa dhe privilegje, dhe jo kryengritje “kombëtare” në kuptimin modern.

 

Miti 3: Islamizimi erdhi me shpatë


Narrativa komuniste theksonte se feja “na u ndërrua me zjarr e hekur”. Historianët bashkëkohorë (Oliver Jens Schmitt, Noel Malcolm, Nathalie Clayer) argumentojnë se islamizimi zgjati rreth 4–5 shekuj.


Konvertimi nisi shpesh nga lart-poshtë, kryesisht te elitat që synonin ruajtjen e pasurisë dhe bërjen e karrierës ushtarake ose administrative. Për shumëkënd, ishte një akt politik besnikërie, jo përjetim mistik.


Feja islame shërbente edhe si shenjë statusi, pasi vetëm myslimanët gëzonin paketën e plotë të të drejtave politike. Edhe pse pati presion dhe diskriminim ndaj të krishterëve, tabloja është shumë më komplekse.

 

Miti 4: Shqiptarët vetëm vuajtën


Në versionin komunist shqiptarët janë vetëm viktima.


Në fakt, nga shek. XVII e më tej, shumica e garnizoneve osmane në disa pika kyçe të Perandorisë kishin kontingjent të madh shqiptar, deri te mbrojtja e Budës më 1688, ku burimet europiane theksojnë se mbrojtësit myslimanë ishin kryesisht shqiptarë.


Dhjetëra vezirë të mëdhenj dhe pashallarë të fuqishëm janë me origjinë shqiptare. Si individë, shqiptarët kanë përfituar nga “kullotat e pafundme të Perandorisë”, siç i quante në vitin 1908 Eqerem Bej Vlora.

 

Miti 5: Shqiptarët më të shtypurit


Ndonjëherë thuhet: “Ne jemi më të varfër se grekët, serbët etj., sepse ishim halë në sy për osmanët”.


Studimet flasin ndryshe: prapambetja erdhi sepse pjesa më e madhe e trojeve shqiptare ishte zonë malore, e vështirë për t’u integruar në qendrat tregtare. Perandoria investonte atje ku kishte interes ekonomik dhe ushtarak (p.sh., Selaniku, Vojvodina).


Elitat shqiptare bënin karrierë në qendra si Stambolli, Kajro apo Siria, dhe jo domosdoshmërisht kanalizonin burimet në qytetet e origjinës.
Nuk është se “ne hëngrëm më shumë dajak” se popujt e tjerë, por raporti elitë–territor ishte i deformuar.

 

Miti 6: Shqipëria e gjitha myslimane


Ideologjia komuniste e trajtoi Islamin thuajse si “fe shtetërore osmane të shqiptarëve”. Deri në shekullin XIX ekzistonte një mozaik: Veriu dypalësh (katolikë/myslimanë), Qendra/Lindja me shumicë sunite, Jugu tri-fetar (ortodoksë/myslimanë/bektashinj).


Shqiptarët nuk kanë qenë as “komb mysliman”, as “komb martir i krishterë”. Ky mozaik u kthye në forcë të nacionalizmit, kur Rilindasit ndërtuan me sukses identitetin mbi gjuhën: “Feja e shqiptarit është shqiptaria” (Pashko Vasa).

 

Miti 7: Identiteti kombëtar i pastër që nga Mesjeta


Komunizmi hoqi një vijë të drejtë: nga ilirët te Skënderbeu, te Rilindja, te Partia Komuniste.


Ndërkohë, sipas shumë studiuesve, në shekujt XVI–XVIII shumë shqiptarë identifikoheshin më fort me fenë, fshatin, klanin, rrethin e pashait, sesa me “kombin” në kuptimin modern.


Vetë emërtimi shqiptar dhe Shqipëri, që zëvendësoi Arbër/Arbëri, erdhi relativisht vonë.

 

Elitë e pasur, Shqipëri e varfër


Perandoria ishte projektuar për të ushqyer makinerinë ushtarake dhe burokratike, jo për të zhvilluar periferitë. Karriera bëhej në Stamboll, Kajro apo Selanik. Elitat shqiptare u “globalizuan osmanisht” (duke i dhënë “Besën e Madhe Perandorisë”) dhe rrallë u kthyen për të investuar në “vendin e vogël të origjinës” (“Besën e Vogël”), siç shkruante Sami Frashëri. Kombinuar me terrenin malor dhe prishjen e lidhjeve tregtare veneciane, këta faktorë e lanë Shqipërinë në periferi ekonomike.

 

Të fundit


Shqipëria doli e fundit nga Perandoria për disa arsye:


Mungesa e institucionit fetar kombëtar: Greqia dhe Serbia patën kishat ortodokse si instrumente nacionalizmi. Shqiptarët, të ndarë në tri fe, nuk patën një institucion të tillë.


Një pjesë e elitës myslimane gëzonte status të privilegjuar në sistemin osman dhe nuk kishte arsye të priste “degën ku ishte ulur”.
Shpallja e Pavarësisë u shty në momentin e fundit, kur copëtimi i Perandorisë dhe interesat gjeopolitike të Fuqive të Mëdha (Italia dhe Austro-Hungaria) e bënë projektin shqiptar një mjet për të penguar zgjerimin e Serbisë në Adriatik.

 

Përfundimisht, Shqipëria doli e fundit nga Perandoria sepse elitat e saj ishin përfituese të sistemit dhe projekti kombëtar ishte i vonuar.

XS
SM
MD
LG