Lidhje


Teuta Hoxha 43 ditë pa ushqim, familja: Kemi frikë se do të vdesë në burg

 

Familja e aktivistes së grupit “Palestine Action”, Teuta Hoxha, ka shprehur frikën se ajo mund të humbasë jetën në burg, ndërsa 29-vjeçarja ka hyrë në ditën e 43-të pa ushqim, si pjesë e grevës së saj të urisë. Teuta Hoxha ndodhet në paraburgim në Britaninë e Madhe prej 13 muajsh dhe grevën e urisë e ka nisur 43 ditë më parë. Duke folur për Sky news familjarët e saj kanë thënë se kanë frikë se ajo mund të vdesë, nëse qeveria britanike nuk ndërhyn, transmeton Vrojtuesi.

 

Motra e saj më e vogël, Rahma, ka deklaruar se Teuta tashmë u ka dhënë udhëzime mjekëve për mënyrën se si duhet të veprojnë në rast se ajo humb ndjenjat ose nëse ndërron jetë.

 

“Ajo është vetëm 29 vjeçe – as 30 nuk i ka mbushur ende dhe askush nuk duhet të jetë duke menduar për një gjë të tillë,” ka thënë Rahma.

 

Ajo shtoi se motra e saj ndodhet në paraburgim prej më shumë se një viti, ndërsa gjyqi i saj nuk pritet të mbahet deri në prill të vitit të ardhshëm dhe se kërkesat për lirim me kusht janë refuzuar vazhdimisht.

 

Rahma, e cila është 17 vjeçe, tregoi se Teuta vazhdon ta telefonojë çdo ditë nga burgu për ta ndihmuar me detyrat e shkollës.

 

“Ajo është si figurë nënë për mua,” u shpreh ajo, duke treguar se nëna e tyre ka ndërruar jetë kur ajo ishte ende shumë e vogël.

 

“Teuta u kujdes për mua dhe për vëllezërit e motrat tona, na lexonte përralla para gjumit dhe ishte gjithmonë pranë nesh. Edhe tani, nga burgu, ajo po më ndihmon me detyrat dhe përgatitjet për provime,” tha Rahma.

 

“Motra ime është një njeri i kujdesshëm dhe i dashur. Ndihem sikur shteti më ka marrë një pjesë të vetes,” shtoi ajo.

 

Teuta Hoxha është pjesë e një grupi prej tetë personash të ndaluar, të cilët po përballen me akuza për hyrje të dyshuara pa autorizim ose për dëmtim të pronës, në emër të grupit “Palestine Action”, i cili këtë verë është shpallur organizatë terroriste nga autoritetet britanike.

 

Javën e kaluar, më shumë se 800 mjekë, infermierë, terapistë dhe kujdestarë i kanë dërguar një letër Sekretarit të Drejtësisë, David Lammy, duke paralajmëruar se, pa një zgjidhje, ekziston mundësia reale dhe gjithnjë e më e madhe që qytetarë të rinj britanikë të vdesin në burg, pa u dënuar ende për ndonjë vepër penale.

 

Duke folur për ITV, mjeku James Smith ka thënë se grevistët e urisë janë në rrezik serioz për shëndetin dhe jetën e tyre.

 

“Si mjek i NHS-së, mendoj se gjendja e grevistëve të urisë është shumë e rëndë dhe se ata kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm nga mjekë specialistë, madje edhe për qëndrim të pandërprerë në spital,” ka thënë ai.

 

“E thënë thjesht, grevistët e urisë po rrezikojnë jetën,” ka deklaruar Dr. Smith, duke theksuar se gjendja e tyre është shumë e rëndë. /Vrojtuesi

XS
SM
MD
LG