Prokuroria Speciale ngre akuza për m.asakrën e Reçakut
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për veprën penale "Krim lufte kundër popullsisë civile”. Ata akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe në vitin 1998/99, vranë 42 civilë në fshatin Reçak të Shtimes. Të pandehurve iu publikuan vetëm inicialet. Prokuroria Speciale ka propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, meqë ata janë "të paarritshëm për organet e drejtësisë” të Kosovës. Gjykimi në mungesë, për këtë rast, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra në vitin 2022.
Pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë
Sipas aktakuzës në periudhën 1998-1999 të akuzuarit, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës "243 të Mekanizuar”, Armatës së III-të, e njohur si "Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, "kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”.Sipas aktakuzës ata e kishin granatuar fshatin, kishin kryer kontrolle shtëpi më shtëpi dhe kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar që të largoheshin nga fshati, "ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”. Hetimet e prokurorisë kanë vërtetuar, thuhet në njoftim, se "të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta”.
Dokumentimi i William Walker
Masakrën e Reçakutgjatë luftës në Kosovë, e kishte dokumentuar William Walker, i cili më 1999 shërbente si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Pas kësaj masakre, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi objektiva ushtarake e policore të ish-Jugosllavisë.Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë mundësoi edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës. Gjatë luftës në Kosovë të vitit 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Edhe sot e kësaj dite, afro 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë të Kosovës./DW