Lidhje


Presidenti i Turqisë Erdogan i ofron Trump-it një telekonferencë me Iranin

Teksa lideri amerikan shprehet i hapur për një bisedë telefonike me Iranin për të ulur tensionet, Pezeshkian ende nuk ka dhënë një përgjigje, thonë zyrtarët.

 

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka propozuar organizimin e një telekonference mes presidentëve të SHBA-së dhe Iranit, si një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.

 

Nisma vjen në një moment kur presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar mundësinë e veprimeve ushtarake kundër Iranit në ditët në vijim, sipas burimeve që kanë folur për Middle East Eye. Erdogan e ka ngritur këtë ide gjatë një bisede telefonike me Trumpin të hënën, ku i ka kërkuar homologut të tij amerikan të vendosë diplomacinë në plan të parë dhe ka ofruar Turqinë si ndërmjetëse mes dy vendeve, bëjnë të ditur zyrtarë turq.

 

Trump ka shprehur interes për një bisedë të tillë, por nga ana iraniane ende nuk ka një përgjigje zyrtare. Sipas burimeve në Ankara, përgjigja e Teheranit mund të përcillet nga ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili ndodhet këtë javë për vizitë në Stamboll. Araghchi pritet të mbërrijë në Turqi të premten për bisedime dypalëshe me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan.

 

Megjithatë, zyrtarët theksojnë se nuk ka asnjë garanci që një nismë diplomatike e tillë do të mjaftojë për të shmangur një ndërhyrje ushtarake. Turqia ka bërë një ofertë të ngjashme edhe gjatë luftës 12-ditore në qershor, por atëherë Irani nuk e pranoi, duke shprehur pakënaqësi. Ankara ka deklaruar vazhdimisht se kundërshton çdo ndërhyrje të huaj ushtarake në Iran. Të mërkurën, ministri Fidan tha se SHBA-ja dhe Irani duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë graduale, “dosje pas dosjeje”.

 

Qëndrimi amerikan ndaj Iranit, sipas burimeve diplomatike, ndikohet fuqishëm nga Izraeli, me kryeministrin Benjamin Netanyahu që synon t’i japë fund kërcënimit që paraqesin programi iranian i raketave balistike dhe aktivitetet bërthamore të Teheranit.

 

“Kriza është shtyrë, por jo zgjidhur”

 

Në përpjekje për të ulur tensionet, ministri turk i Jashtëm ka zhvilluar një seri telefonatash dhe takimesh si me zyrtarë iranianë, ashtu edhe me përfaqësues amerikanë, një përpjekje e ngjashme me atë të ndërmarrë edhe nga vende të tjera të rajonit. Hande Firat, kolumniste e gazetës turke Hurriyet, shkroi se Turqia po përcjell qartë mesazhin se diplomacia mbetet rruga e vetme përpara.

 

“Qëllimi i Ankarasë ishte të zbusë krizën në përshkallëzim, t’i rikthejë palët në tryezën e bisedimeve dhe të parandalojë një ndërhyrje të mundshme ushtarake,” shkroi ajo. “Sipas burimeve diplomatike, pa këto angazhime, rajoni mund të përballej sot me një realitet krejt tjetër. Kriza është shtyrë, por nuk është zgjidhur.”

 

Firat shton se, përveç shqetësimeve për programin bërthamor dhe kapacitetet raketore të Iranit, Netanyahu po ushtron presion për një ndërhyrje amerikane edhe për arsye të brendshme politike, teksa përballet me zgjedhje parlamentare më vonë këtë vit. Ajo thekson gjithashtu se SHBA-ja mund të rikthehet në negociata nëse Irani tregon gatishmëri për bashkëpunim lidhur me rezervat e tij të naftës.

 

Nga ana e tij, Trump paralajmëroi të mërkurën se një “armadë masive” po lëviz drejt Iranit dhe se do të sulmojë me “shpejtësi dhe dhunë” nëse Teherani nuk pranon një marrëveshje. Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump e krahasoi situatën me operacionin amerikan që çoi në rrëmbimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro, duke theksuar se forcat e dislokuara drejt Iranit janë “më të mëdha” se ato të dërguara në Amerikën e Jugut.

 

“Ashtu si me Venezuelën, ato janë gati, të afta dhe të gatshme të përmbushin misionin e tyre me shpejtësi dhe dhunë, nëse është e nevojshme,” shkroi Trump. “Shpresojmë që Irani të vijë shpejt në tryezë dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë – pa armë bërthamore – një marrëveshje që është e mirë për të gjitha palët.”

 

Trump paralajmëroi gjithashtu se “koha po mbaron” për Iranin, duke iu referuar sulmeve ajrore të kryera ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor 2025. “Siç i thashë Iranit edhe herën e kaluar – bëni një marrëveshje. Ata nuk e bënë dhe pati ‘Operacionin Midnight Hammer’, një shkatërrim i madh i Iranit. Sulmi i radhës do të jetë shumë më i keq. Mos e lini të ndodhë përsëri,” tha ai.

 

Sipas raportimeve të Middle East Eye, administrata amerikane po shqyrton gjithashtu goditje precize ndaj zyrtarëve dhe komandantëve iranianë me ‘vlerë të lartë’, të konsideruar përgjegjës për vdekjet e protestuesve gjatë demonstratave kundër qeverisë në fillim të këtij muaji.

 

Burimi: Middle East Eye, shkrimi këtu.

XS
SM
MD
LG