Lidhje


Telefonoi urgjencën për ndihmë, gjendet e vdekur pas dy javësh vajza e mitur në Gaza

Hind Rajab, vajza gjashtëvjeçare palestineze e zhdukur pasi makina e familjes së saj u godit në Gaza, është gjetur e vdekur. Vogëlushja i mbijetoi sulmit dhe thirri për ndihmë, por që nga ajo kohë nuk u mor më asnjë lajm për të. Sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, dy mjekë të dërguar për të kërkuar vajzën e vogël u vranë nga forcat izraelite.  Vajza e vogël u pa për herë të fundit rreth dy javë më parë, kur u bllokua në makinë me të afërmit e saj të vdekur, teksa po përpiqeshin të largoheshin nga qyteti i Gazës.

 

“Hindi dhe të gjithë të tjerët në makinë u martirizuan”, tha për AFP gjyshi i vajzës së vogël, Baha Hamada. Trupi i saj u zbulua nga disa anëtarë të familjes që shkuan në zonën Tel al-Hawa të qytetit të Gazës duke kërkuar makinën pranë një pompe karburanti ku ishte parë për herë të fundit.

 

"Ata mundën të arrinin në zonë sepse forcat izraelite u tërhoqën në agim të sotëm", shtoi Hamada.

 

Ministria e Shëndetësisë e Rripit të Gazës, e drejtuar nga Hamasi, konfirmoi vdekjen e Hind. “Ajo u vra nga forcat okupuese (izraelite) së bashku me të gjithë ata që ishin me të në makinë jashtë stacionit të karburantit Tel al-Hawa”, tha ministria në një deklaratë./ Gazeta tema

XS
SM
MD
LG