Lidhje


Çmimet e naftës vazhdojnë të rriten teksa Irani sulmon anijet në Hormuz

Çmimet e naftës po vazhdojnë të rriten pavarësisht se disa prej fuqive më të mëdha botërore kanë rënë dakord të lirojnë një sasi rekord nafte nga rezervat e tyre të emergjencës në një përpjekje për të qetësuar tregjet. BBC-ja ka raportuar se çmimi për një fuçi nafte ka shkuar në 100 dollarë amerikanë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, e cila përfshin Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në, do të lirojë 400 milionë fuçi.

 

Irani ka paralajmëruar se nafta mund të arrijë në 200 dollarë për fuçi, teksa sulmet e tij ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit janë intensifikuar - shpërthime u raportuan në të paktën dy cisterna të huaja gjatë natës.

 

Ndërkohë, ushtria izraelite ka nisur një "valë sulmesh në shkallë të gjerë" kundër Hezbollahut në Bejrut, duke thënë se ka goditur 10 struktura. Ushtria gjithashtu ka thënë se ka ndërprerë raketa nga Irani.

 

Ndërkohë, Arabia Saudite thotë se ka kapur 18 dronë, ndërsa autoritetet e Dubait kanë bërë të ditur se askush nuk u lëndua pasi një dron ra mbi një ndërtesë apartamentesh.

 

E presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se SHBA-ja "nuk kanë mbaruar ende" kur është pyetur për luftën e Iranit.

 

 

Një total prej 13 anijesh janë sulmuar në dhe përreth Gjirit Arabik, Ngushticës së Hormuzit dhe Gjirit të Omanit midis 28 shkurtit dhe 11 marsit, kanë raportuar të mërkurën Operacionet e Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO).

 

Natën e së mërkurës, në brigjet e Irakut, dy anije të tjera janë goditur pranë portit të Umm Qasr, pranë qytetit të Basrës. 

 

Sulmi ka vrarë një person dhe ka plagosur 38 të tjerë, ka thënë kreu i Kompanisë së Përgjithshme për portet irakiane.

 

Ndërkohë të enjten, UKMTO ka njoftuar një incident tjetër në veri të Jebel Ali, Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shkruar se "Kapiteni ka raportuar se një anije kontejnerësh është goditur nga një predhë e panjohur duke shkaktuar një zjarr të vogël në bord"./koha.net

XS
SM
MD
LG