Lidhje


U bë nënë në moshën 12-vjeçare: Dy dekada më vonë rrëfimi i vajzës që tronditi Britaninë

Njëzet vite më parë, emri i Tressa Middleton pushtoi titujt kryesorë në Britani. Në moshën vetëm 12-vjeçare ajo u bë nëna më e re e vendit, ndërsa historia e saj u kthye në një nga ngjarjet më të komentuara të asaj kohe. Fotografitë e një vajze ende fëmijë, me barkun e fryrë të shtatzënisë dhe më pas me foshnjën në krahë, u shpërndanë në të gjithë mediat, duke ndezur debate të mëdha mbi gjendjen sociale dhe familjare në Britani.

 

Por vite më vonë do të zbulohej se pas asaj historie që tronditi opinionin publik fshihej një realitet shumë më i rëndë.

 

Tressa kishte qenë viktimë e abuzimeve të vazhdueshme brenda familjes që nga mosha rreth shtatëvjeçare. Për shumë vite ajo heshti, e frikësuar dhe e mbërthyer nga presioni familjar. Më vonë analizat e ADN-së konfirmuan se fëmija i saj i parë kishte ardhur si pasojë e këtyre abuzimeve.

 

Për Tressan, trauma nuk mbaroi me lindjen. Vajza e saj e parë, të cilën ajo vazhdon ta quajë Annie, u mor nën kujdes nga shërbimet sociale dhe më pas u adoptua. Edhe sot ajo flet me dhimbje për atë periudhë, duke treguar se e mendon vazhdimisht vajzën e saj.

 

“Do të jetë gjithmonë foshnja ime”, shprehet ajo.

 

Pas kësaj, jeta e saj mori një drejtim edhe më të vështirë. Në vitet e adoleshencës dhe në fillim të të njëzetave, Tressa përfundoi në një botë të errët të varësisë nga droga, duke ndjekur të njëjtin cikël shkatërrues që kishte prekur më parë familjen e saj. Ajo dhe partneri i saj jetonin mes varësisë, problemeve ekonomike dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të mbijetuar.

 

Megjithatë, një moment do të ndryshonte gjithçka.

 

Në vitin 2016, kur mësoi se ishte shtatzënë me vajzën e saj Arihanna, Tressa mori një vendim që e konsideron pikën e kthesës së jetës së saj. Ajo dhe partneri i saj hoqën dorë plotësisht nga drogat e forta dhe nisën të ndërtonin një jetë të re.

 

Sot, në moshën 32-vjeçare, Tressa është nënë e katër fëmijëve: Arihanna, Harlow, Freya dhe djalit të saj më të vogël Keiren. Ajo thotë se fëmijët e saj janë arsyeja kryesore pse vazhdon të ecë përpara dhe pse nuk dëshiron kurrë të rikthehet në të kaluarën.

 

Megjithëse plagët e fëmijërisë vazhdojnë të ekzistojnë, ajo pranon se tashmë frika e saj më e madhe është që fëmijët e saj të mos përjetojnë asgjë nga ajo që ka kaluar vetë.

 

“Kur vajza ime ishte në moshën që ka tani, abuzimet ndaj meje kishin filluar tashmë”, thotë ajo.

 

Sot ajo përpiqet t’u japë fëmijëve të saj atë që vetë nuk e pati kurrë: një shtëpi të sigurt, një fëmijëri normale dhe mundësinë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

 

“U them që të studiojnë, të shkojnë në universitet, të kenë një jetë të mirë. Nuk dua që të jetojnë atë që kam jetuar unë”, rrëfen Tressa.

 

Historia e saj, që dikur u bë simbol i një tragjedie sociale, sot shihet nga shumë njerëz si një rrëfim i një njeriu që, pavarësisht plagëve të së kaluarës, arriti të rindërtojë jetën nga e para./daily mail

XS
SM
MD
LG