Lidhje


Gjymtimi sipas islamit, si mjet për të mbrritur deri tek e vërteta

Nga Alban Gorishti/ Në një video të publikuar në rrjetet sociale dhe e ripublikuar nga media ruse Meduza dhe faqja bjelloruse Nexta tregon arrestimin e një prej të dyshuarve për sulmin terrorist në Crocus të Moskës. Në pamjet e rënda shihet kur njëri prej ushtarëve i pret veshin e djathtë të arrestuarit dhe e detyron ta hajë.
Ç'është e vërteta ngjarjet e Moskës na tronditën të gjithëve, sidomos për makabritetin e ekzekutimit dhe masakrimin e civilëve të pafajshëm dhe të paarmatosur. Padyshim që pesha dhe tragjedia e situatës ku humbën jetën brenda pak minutave mbi 120 njerëz , të inatos duke tejkaluar edhe kufijtë e arsyes apo humanizmit. Kjo të bën që mos të ndjesh asnjë dhembshuri në kërkim të hakmarrjes apo "arsyeve" të mundshme pas akteve të tilla. Por makabriteti dhe krimi nuk ka nevojë të ketë arsye dhe as humanitet, mfjafton pak urrejtje e përzier me ateizëm shpirtëror dhe ultësi karakteriale duke e miksuar të gjithën me shplarje mendore të veshur me mungesë principesh, e kështu përfton një 'makineri' pa skrupuj e gatshme të shesë shërbimet e veta (krimet e veta).


Kjo ngjarje më bëri të mendoja nëse e njëjta ngjarje do të ishte manifestuar, si do të kishte qenë vendimi i islamit apo sjellja e muslimanëve përballë një makabriteti të tillë.


Së pari duhet thënë se sipas islamit tortura në aspektin juridik nuk është një mjet i ligjshëm dhe i besueshëm për të përcaktuar të vërtetën e fakteve. Po ashtu duhet theksuar se qëndrimi dominant i shkollave juridike në islam është se tortura konsiderohet e papranueshme në institucionin e kadiut apo pushtetarit.
Hisham ibn Hakimi kaloi pranë disa njerëzve në Siri, të cilët ishin detyruar të qëndronin në diell ndërsa mbi kokat e tyre ishte derdhur vaj . Ai pyeti: "Çfarë është kjo?" I thanë: “Ata po dënohen për mospagimin e taksave”. Hishami tha: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: Vërtet, Allahu do t'i ndëshkojë ata që i torturojnë njerëzit në këtë botë" Sahih Muslim 2613


Kjo ndodhi po ashtu më kujtoi edhe rastin e vrasjes së Aliut nga Abdurahman ibn Mulxhim, kur Aliu u godit për vdekje nga ibn Mulxhimi e më pas e kuptoi se do të vdiste e këshilloi të birin , Hasanin, duke i thënë: O biri im nëse vdes ekzekutoje vrasësin tim (sipas ligjit) , një goditje shpate për një goditje (pra duke qenë se ai e pati goditur vetëm një herë në kokë), por largoju gjymtimit dhe torturës qoftë edhe ndaj një qeni të pabesë" Tarikh ed-dimeshk i ibn Ethirit 42/559
Ndërsa pejgamberi në një hadith na tregon se nga duhet të ushtrojmë të mirën dhe mirsjelljen në çdo vendim apo akt që ndërmarrim, kështu nga ky rregull nuk përfitojnë vetëm njerëzit por gjithçka e gjallë. Ai alejhi selam pati thënë:"Me të vërtetë, Allahu ka urdhëruar mirësinë në çdo çështje, andaj, kur të vrisni, vritni në mënyrën më të mirë dhe, kur të therni, therni në mënyrën më të mirë: mprihni thikat dhe qetësojeni bagëtinë (kurbanin)" Trans Muslimi


Sipas Islamit çdo jetë njerëzore ka rëndësi dhe respektohet, përveç në dy rasteve. Së pari, nëse dikush ka vrarë me dashje një person tjetër dhe së dyti kushdo që bën ngatërresa në tokë, ligësia e të cilit sjell vrasjen e njerëzve të pafajshëm.


Islami kuron manifestimin e makabriteteve nëpërmjet dënimeve ekzemplare, në mënyrë që të frikësohet çdo zemër e egërsuar nga djallëzia dhe çdo grup i ushqyer ideologjikisht nga anti-humanizmi. Por kurrsesi nuk urdhëron që mbi kriminelin të ushtrohet ndonjëfarë gjymtimi para se të ekzekutohet mbi të dënimi i merituar, qoftë ky edhe kapital, Allahu na tregon për dënime të tilla : "Dënimi i atyre që luftojnë (kundërshtojnë) All-llahun dhe të dërguarin e Tij dhe bëjnë shkatërrime në tokë (kaçakëve, banditëve, terroristëve), nuk është tjetër vetëm se të mbyten ose të gozhdohen, ose (të gjymtohen), t'u priten duart dhe këmbët e tyre të anëve të kundërta, ose të dëbohen nga vendi. Kjo (masë ndëshkuese) është poshtërim për ta në Dunja, dhe në botën tjetër ata do të kenë dënim të madh. Përveç atyre që janë penduar para se t'i kapni. E, dijeni pra se All-llahu bën falje të madhe, është mëshirues" 5:33-34.


Për shembull, nëse ata kanë vrarë njerëz të pafajshëm, dënimi i tyre është të vriten dhe nëse ata janë përfshirë në grabitje të armatosur e cila ka shkatërruar pronë dhe ka vrarë njerëz, atëherë dënimi i tyre është që duart dhe këmbët e tyre mund të priten. Nëse ata vetëm kërcënojnë me armë dhe prishin sigurinë publike, atëherë dënimi i tyre është internimi. Në fund të fundit, Zoti i Mëshirshëm, si zakonisht, tregon portën e pendimit për të gjithë kriminelët duke thënë se nëse ata pendohen nga veprat e tyre të liga para se të arrestohen, Zoti është Falës për ta, sepse Ai është Më i Mëshirshmi dhe Mëshirues.Ndaj nëse pendohen para se të kapen duke bashkpunuar me instancat ligj-zbatuese atëherë nuk ndëshkohen me penalitetin maksimal por me një penalitet më të lehtë.


Ndaj themi se sipas islamit aktivitetet terroriste konsiderohen në kundërshtim me besimin. Në një hadith citohet se Profeti i Islamit a.s ka thënë: "Imani (Islami) e ka prangosur vrasjen, besimtari nuk bën vrasje" Ebu Daud Sunen 2388.

XS
SM
MD
LG