Historik: Tentativat për vrasje ndaj presidentëve amerikanë dhe kandidatëve për president
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është plagosur në një tentativë për vrasje gjatë një mitingu fushate në Butler County, Pennsylvania.Trump, i cili u plagos në veshin e djathtë, është "i sigurt". Ai u përcoll nga podiumi me gjak në vesh dhe faqe pas të shtënave në tubim. Një spektator u vra dhe dy të tjerë u plagosën rëndë gjaë sulmit, i cili ndodhi në Butler Farm Show në Butler City. Shërbimi Sekret thotë se oficerët e tyre vranë sulmuesin e dyshuar, të identifikuar si Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, nga Pensilvania.
Që nga themelimi i SHBA-së, katër presidentë dhe një kandidat për president janë vrarë.
Këto janë disa raste kur presidentët e SHBA-së dhe kandidatët kryesorë presidencialë u vunë në shënjestër të tentativave për vrasje.
1865, Abraham Lincoln (presidenti i 16-të) - Vritet gjatë një shfaqeje teatrale të cilën po e ndiqte së bashku me gruan e tij në Uashington DC. Ai u qëllua nga John Wilkes Booth dhe iu dha trajtim mjekësor, por vdiq të nesërmen në mëngjes. Boothi u gjet i fshehur në një hambar në Virxhinia 12 ditë më vonë, ku u qëllua për vdekje.
1881, James Garfield (presidenti i 20-të) – U qëllua duke ecur në një stacion treni në Uashington, DC, gjashtë muaj pas marrjes së detyrës. Ai vdiq nga plagët e marra disa javë më vonë. Charles Guiteau, vrasësi i tij, u shpall fajtor dhe u ekzekutua vitin tjetër.
1901, William McKinley (presidenti i 25-të) – U qëllua në distancë pasi mbajti një fjalim në Nju Jork. McKinley pritej të shërohej, por plagët e plumbave i shkaktuan një gangrenë dhe ai vdiq tetë ditë më vonë. Një burrë 28-vjeçar nga Detroiti, Leon F Czolgosz, pranoi se ishte ai që kishte qëlluar. Ai u ekzekutua disa javë pas atentatit.
1912, Theodore Roosevelt (kandidat) – Roosevelt po kandidonte për Shtëpinë e Bardhë si ish-president kur u qëllua në Milwaukee. Ai i mbijetoi të shtënave, por plumbi i mbeti në gjoks për gjithë jetën.
1933, Franklin Roosevelt (presidenti i 32-të) – Ishte objektivi i një atentati në Miami nga një emigrant italian, Giuseppe Zangara. Roosevelt nuk u dëmtua por Anton Cermak, kryebashkiaku i Çikagos, u vra në sulm.
1963, John F Kennedy (presidenti i 35-të) – Kennedy u qëllua për vdekje teksa po udhëtonte me autokolonën e tij nëpër qendër të Dallasit. Ai u godit me pushkë nga distanca dhe ndërroi jetë në spital disa orë më vonë. Policia arrestoi Lee Harvey Oswald. Dy ditë pas arrestimit, ndërsa Oswald po dërgohej në burg, ai u qëllua për vdekje nga Jack Ruby, një pronar klubi nate në Dallas.
1968, Robert F Kennedy (kandidat) - Vëllai më i vogël i John F Kennedy po bënte fushatë si nominim i Demokratëve dhe sapo kishte fituar zgjedhjet paraprake në Kaliforni të vitit 1968. Menjëherë pasi mbajti fjalimin e fitores, ai u qëllua për vdekje nga Sirhan Sirhan. Vrasësi u arrestua dhe u dënua me vdekje. Që më pas u shndërrua në burgim të përjetshëm dhe kërkesa e tij për lirim, në vitin 2023, u refuzua.
1972, George Wallace (kandidat) - Wallace po kërkonte nominimin presidencial demokrat kur u qëllua gjatë një ndalese fushate në Maryland. Ai u qëllua katër herë dhe një nga plumbat iu fut në shtyllën kurrizore. Kjo e la atë të paralizuar për pjesën tjetër të jetës. Njeriu që e qëlloi ishte Arthur Bremer. Ai u kap dhe u dënua me burg. Ai u lirua në vitin 2007.
1975, Gerald Ford (presidenti i 38-të) – I shpëtoi dy tentativave për vrasje brenda 17 ditëve, të dyja në Kaliforni (në Sacramento dhe San Francisko) dhe të dyja të kryera nga gra: Lynette Fromme dhe Sarah Jane Moore. Ato morën dënime të përjetshme.
1981, Ronald Reagan (presidenti i 40-të) - Reagan po mbante një fjalim në Uashington, DC kur u qëllua nga John Hinckley Jr. Plumbi shpoi mushkërinë e majtë të Reganit, duke i kaluar shumë afër zemrës. Reagan i mbijetoi tentativës ndaj jetës së tij. Hinkli u arrestua dhe u shpall i pafajshëm për shkak të çmendurisë. Ai u mbyll në një spital mendor.
1994, Bill Clinton (presidenti i 42-të) – Clinton ishte brenda Shtëpisë së Bardhë kur Francisco Martin Duran qëlloi në ndërtesë duke përdorur një pushkë gjysmë automatike. Clinton nuk u dëmtua. Duran u dënua për tentativë për të vrarë presidentin dhe u dënua me 40 vjet burg.
2005, George W Bush (presidenti i 43-të) – Bush po merrte pjesë në një tubim në Tbilisi me Presidentin Gjeorgjian Mikhail Saakashvili kur një burrë i quajtur Vladimir Arutyunian hodhi një granatë dore drejt podiumit. Granata nuk shpërtheu dhe askush nuk u lëndua. Arutyunian u dënua me burgim të përjetshëm./aljazeera