Lidhje


Shqiptarët e Maqedonisë – o vasal të dëgjueshëm, o leckë e paraderës qeveritare!

Nga Kim Mehmeti
 
 
A ju kujtohen vitet kur regjimi i VMRO-DPMNE’së e përdorte BDI’në si kukull të dëgjueshme duke e shantazhuar me PDSH’në e cila priste pas dere që të bëhej pjesë e koalicionit qeverisës? Ndërkohë, një regjim i tillë që prodhonte procese të montuara gjyqësore kundër shqiptarëve të Maqedonisë, e kishte përkrahjen e plotë të Tiranës zyrtare. E shihni si qeveria e sotme e VMRO-DPMNE’së i manipulon këto leckat e pavlera shqiptare që janë pjesë e qeverisë duke i shantazhuar se nëse do jenë të padëgjueshëm do i zëvendësojë me BDI’në, që pret pasdere e gatshme të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës?
 
 
Dhe sado që tingëllon perverse dhe e pabesueshme, kjo qeveri më proserbe që ndonjëherë ka pasur Maqedonia, e ka përkrahjen e pakusht të Kryeministrit të sotëm të Kosovës edhe atë thuajse vetëm për t’ia lehtësuar sundimin mbi shqiptarët!?
 
 
Dhe nëse e kujtoni atë që ndodhte dikur dhe, nëse e shihni këtë që është duke ndodhur sot, do vëreni se përmbajtja mbetet e njëjtë, se ndryshojnë vetëm kukullat shqiptarë në qeveri, përkrahësit e tyre në Tiranë e Prishtinë si dhe, ata që presin pas derës qeveritare për ta marrë rolin e vasalit.
 
 
Me çka shqiptarët e këtushëm, edhe si 30 për qindëshi i Maqedonisë, mbeten politikisht, o si vasal të dëgjueshëm në qeveri, o si ‘lecka’ të pasderës qeverisëse ku sunduesit maqedonas i pastrojnë këpucët e përlloçura me antishqiptari!
XS
SM
MD
LG