Lidhje


Fuqia e butë/Si u bë Kina kaq popullore?

Si u bë Kina kaq popullore? Udhëtimet e blogerëve perëndimorë dhe videolojërat kineze kanë ndezur imazhin e vendit, shkruan The Economist. Udhëheqësit e Partisë Komuniste mund të habiten kur të marrin vesh se janë borxhlinj ndaj një të riu 20-vjeçar nga Ohio që publikon video online.

 

Ai quhet Darren Watkins dhe në internet njihet me emrin “IShowSpeed”. Në një vizitë të vetme e ka përmirësuar imazhin e Kinës në botë, më shumë se çdo propagandë komuniste.

 

Në një udhëtim dyjavor në mars dhe prill, ai u tregoi 38 milionë ndjekësve në internet, historinë e pasur të Kinës (duke bërë një akrobaci në Murin e Madh Kinez), vendasit miqësorë (bëri shaka me imituesin më të mirë kinez të Donald Trump) dhe teknologjinë e përparuar (vallëzoi me një robot humanoid, hëngri një vakt të shërbyer me dron dhe provoi një taksi fluturuese).

\

Teksa po udhëtonte në një liqen në Shenzhen me një automjet amfib elektrik SUV të stilit James-Bond, zoti Watkins thërriti me gëzim. “O Zot, kjo makinë nuk po fundoset… Kina ka makina fantastike! Kina është ndryshe, vëlla”.

 

Udhëheqësit kinezë kanë dashur prej kohësh të frymëzojnë këtë lloj entuziazmi te të rinjtë. Partia Komuniste kineze është përpjekur të rrisë “fuqinë e butë”, falë së cilës, një shtet mund të marrë atë që dëshiron, por pa përdorur masa shtrënguese ose forcë ushtarake. Vendi e ka kritikuar prej kohësh mendësinë perëndimore “anti-Kinë”.

 

Në vitin 2013, byroja politike kineze tha se fuqia e butë ishte thelbësore për “ëndrrën kineze të përtëritjes kombëtare”. Kjo nuk ishte detyrë e lehtë. Propaganda e Kinës nuk ka sukses jashtë shtetit, sepse shumë njerëz e shohin me sy të keq vendin, prej natyrës së tij autoritare.

 

Sidoqoftë, gjithnjë e më shumë njerëz, sidomos të rinjtë, po e shpërfillin anën e shëmtuar të Kinës. Dhe kjo nuk është arritur vetëm nga propaganda shtetërore kineze. Zoti Watkins është një nga shumë blogerët e huaj që postojnë online udhëtimet e tyre në Kinë, që kur vendi rihapi dyert pas pandemisë Covid-19.

 

Firmat kineze kanë teknologji të përparuar dhe eksportojnë kulturën kineze në botë. Për më tepër, imazhi i Kinës është përmirësuar edhe për shkak të rënies së popullaritetit të Amerikës në botë, e shkaktuar nga presidenti Donald Trump.

 

Më 15 maj, gazeta e Partisë Komuniste “People’s Daily”, botoi një artikull me titull “Si u bë Kina kaq popullore?”

 

Sipas një studimi amerikan, një dekadë më parë, Kina po shpenzonte 10 miliardë dollarë në vit për të rritur imazhin jashtë shtetit. Tani, kjo shumë mund të jetë më e lartë. Zyrtarët kinezë kanë ngritur 500 “institucione konfuciane” nëpër universitetet e huaja, që ofrojnë programe mësimore dhe kulturore në gjuhën mandarine.

 

Mediat shtetërore publikojnë histori pozitive për Kinën në mediat sociale perëndimore. Qindra gazetarë të huaj ftohen në Kinë çdo vit, ku u tregohen pikat e forta të vendit, si rrjeti mbresëlënës hekurudhor me shpejtësi të lartë.

 

Por këto përpjekje nga lart-poshtë janë lënë në hije nga risitë nga poshtë-lart. Kompania e Inteligjencës Artificiale DeepSeek bëri bujë në dhjetor kur hodhi në treg modele që ishin shumë më të lira për t’u trajnuar dhe pothuajse po aq efektive sa ato perëndimore.

 

Automjetet elektrike kineze po rrëmbehen nga blerësit jashtë shtetit dhe dronët kinezë kanë qenë popullorë prej vitesh. Tani, produktet kulturore kineze po tërheqin blerës jashtë shtetit.

 

Kina vështronte me zili kur muzika K-Pop e Koresë së Jugut po përhapej me shpejtësi në mbarë botën në vitet 2010. Muzika dhe televizioni kinez nuk tërheqin ende publik, përveç njerëzve që flasin gjuhën mandarine, por vendi po bëhet popullor në videolojëra.

 

Katër nga dhjetë lojërat me fitimin më të lartë në vitin 2024 u prodhuan në Kinë. Një e tillë është Genshin Impact, që arriti fitime me vlerë mbi 1 miliard dollarë në vit.

 

Vitin e kaluar, një kompani kineze hodhi në treg Black Myth Wukong, videolojën e parë të suksesshme të vendit. Ajo përfshin personazhe nga folklori kinez. Rreth 30% e 25 milionë lojtarëve të saj jetojnë jashtë Kinës.

 

Mediat që përdor bota po ndikohen gjithnjë e më shumë nga Kina. Aplikacioni i videove të shkurtra TikTok, në pronësi të kompanisë kineze Bytedance, shkarkohet më shumë se çdo aplikacion tjetër i mediave sociale në mbarë botën.

 

Shikuesit në vende si Meksika dhe Indonezia, po shikojnë “mikrodramat” kineze, episode njëminutëshe të krijuara posaçërisht për t’u parë në celularët smartphone.

 

Dalja nga karantina

 

Disa sondazhe tregojnë se popullariteti i Kinës arriti një pikë shumë të ulët gjatë pandemisë, por më pas u rimëkëmb.

 

Çdo vit, firma këshillimore Brand Finance merr në pyetje 100,000 të anketuar në mbarë botën se çfarë mendojnë ata për vende të ndryshme dhe ndikimin e tyre.

 

Kina u rendit e teta në vitin 2021 dhe e dyta këtë vit, pas Amerikës. Sondazhet nga Fondacioni Aleanca e Demokracive, një OJQ në Danimarkë, tregojnë se ka pasur rritje të popullaritetit të Kinës në botë, që nga viti 2022.

 

“Vlerësimi për vendin u rrit nga -4% atë vit, në +14% në sondazhin e fundit, të publikuar këtë muaj.

 

Popullariteti i Amerikës në botë ka rënë nga +22% në -5%, vetëm vitin e kaluar. Një sondazh i kohëve të fundit nga anketuesi Pew tregoi se edhe në Amerikë, ku Kina është shumë e papëlqyer, mendimi për vendin është bërë më pozitiv. Të rinjtë janë veçanërisht të butë ndaj Kinës.

 

Fqinjët aziatikë janë më skeptikë. Shumë prej tyre kanë mosmarrëveshje territoriale me Kinën dhe shqetësohen për shpenzimet e saj ushtarake.

 

Në Europë, Kina nuk shihet me sy të mirë, për shkak të mungesës së demokracisë dhe shkeljes së të drejtave të njeriut, thotë Andrew Chubb nga Universiteti Lancaster në Britani.

 

Për shembull, shumë kritikë të politikave të Partisë Komuniste ndaj Ujgurëve në Xinjiang, thonë se po shpërfillet autoritarizmi i partisë. Të tjerë thonë se partia tani është më e rreptë. Ata besojnë se qeveria kineze po lehtëson në heshtje ardhjen e vizitorëve si zoti Watkins.

 

Sidoqoftë, duket se qeveria e Kinës është e sigurt se nëse njerëzit bëjnë një vizitë, ata do të mbeten të kënaqur, kudo ku të shkojnë. Zyrtarët kinezë po përpiqen të rrisin numrin e turistëve pasi ra ndjeshëm gjatë pandemisë.

 

Vitin e kaluar, Kina hoqi kufizimet e vizave për qytetarët nga 38 shtete (kryesisht europiane), duke lejuar vizita deri në një muaj.

 

Rreth 30 milionë turistë të huaj e vizituan Kinën në vitin 2024, gati 80% më shumë se një vit më parë, edhe pse më pak se kulmi i kohës para Covid-19.

 

Detyra më e ndërlikuar për propagandistët e Kinës është ta bëjnë vendin tërheqës, thotë Shaoyu Yuan nga Universiteti Rutgers në New Jersey.

 

Kjo është “e pakëndshme për një sistem që është ndërtuar mbi disiplinën dhe kontrollin”, thotë ai. Vitin e kaluar, një grup prej 70 studentësh nga Universiteti Duke në Karolinën e Veriut vizituan Kinën. Ata u mërzitën kur mediat shtetërore kineze nisën t’i shtynin të thoshin gjëra të mira për vendin.

 

“Një ekip kamerash – u ankua një studente – më mësoi të recitoja një poezi në gjuhën kineze që përfshinte vargun ‘Unë e dua Kinën’”.

 

Siç do thoshin adoleshentët, Kina do ishte shumë më popullore, nëse nuk do të mundohej kaq shumë për t’i bindur të tjerët ta pëlqejnë.

 

Imazhi

Sipas një studimi amerikan, një dekadë më parë, Kina po shpenzonte 10 miliardë dollarë në vit për të rritur imazhin jashtë shtetit. Tani, kjo shumë mund të jetë më e lartë. Zyrtarët kinezë kanë ngritur 500 “institucione konfuciane” nëpër universitetet e huaja, që ofrojnë programe mësimore dhe kulturore në gjuhën mandarine. Mediat shtetërore publikojnë histori pozitive për Kinën në mediat sociale perëndimore. Qindra gazetarë të huaj ftohen në Kinë çdo vit, ku u tregohen pikat e forta të vendit, si rrjeti mbresëlënës hekurudhor me shpejtësi të lartë./monitor.al

XS
SM
MD
LG