Lidhje


Njihni Palestinën, pastaj ushtroni një presion të vërtetë mbi I.zraelin

Duke iu përmbajtur angazhimit dypartiak të Izraelit për të shtypur të drejtat e palestinezëve, shtetet perëndimore kanë ndihmuar në krijimin e krizës me të cilën përballemi sot. Njohja e shtetësisë palestineze përfaqëson një hap drejt fundit të këtij konsensusi, që duhet shoqëruar me shtimin e presionit ndaj Tel Avivit për të ndaluar fushatën e zhvendosjes me forcë, urisë dhe masakrës në Gaza, si dhe aneksimin e paligjshëm të Bregut Perëndimor.

 

Nga Matthew Duss “Foreign Policy”

 

Në një koment botuar në gazetën New York Times javën e kaluar, ish-Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz, kritikoi valën në rritje të qeverive perëndimore që po e njohin shtetin e Palestinës.

 

“Mbështetja në rritje e Perëndimit për njohjen e pavarësisë së Palestinës, paraqitet shpesh si një kritikë ndaj Netanyahut dhe politikave të tij të luftës. E vërteta është se njohja ndërkombëtare e shtetësisë palestineze në kushtet aktuale, nuk është një refuzim i Netanyahut por një refuzim i konsensusit dypartiak në Izrael mbi politikat e sigurisë” - shkroi ai.

 

Të paktën për këtë, Gantz ka të drejtë. Ndërsa artikulli i tij, mbështetet në një numër pretendimesh shumë të diskutueshme, bota po e hedh poshtë konsensusin aktual dypartiak të sigurisë të Izraelit. Dhe kjo është një gjë e mirë. Sepse është e arsyeshme dhe e drejtë të refuzohet çdo “konsensus sigurie” në çdo vend që mbështetet aparteidin dhe çon drejt gjenocidit.

 

Në fakt, duke iu përmbajtur angazhimit dypartiak të Izraelit për të shtypur të drejtat e palestinezëve, shtetet perëndimore kanë ndihmuar në krijimin e krizës me të cilën përballemi sot. Në masën që njohja e shtetësisë palestineze përfaqëson një hap drejt përfundimit të këtij respekti, ajo është një veprim në drejtimin e duhur edhe pse i vonuar.

 

Por nuk është aspak mjaftueshëm. Sikurse shpreheshin Marc Lynch dhe Shibley Telhami në një artikull në korrik në Foreign Affairs, ekziston rreziku i trajtimin e njohjes si një qëllim në vetvete. “Nëse njohja formale shndërrohet në një zëvendësues të mbrojtjes së supremacisë së së drejtës ndërkombëtare dhe adresimin e realiteteve thelbësore të vuajtjeve të palestinezëve, do të ishte në rastin më të mirë një gjest i zbrazët, dhe në rastin më të keq një keqshpërndarje epike e kapitalit të pakët politik ndërkombëtar” - shkruajnë ata.

 

Duke njohur shtetin e Palestinës, qeveritë perëndimore duhet të veprojnë paralelisht në përgjigje të kolonizimit dhe copëtimit të vazhdueshëm të atij shteti në mënyra konkrete, dhe jo vetëm simbolike.

 

Të gjitha këto qeveri, duhet të ndërmarrin menjëherë hapa për të mbështetur të drejtën ndërkombëtare dhe të ushtrojnë një presion të vërtetë mbi qeverinë izraelite për të ndaluar fushatën e saj të zhvendosjes me forcë, urisë dhe masakrës në Gaza, si dhe aneksimin e paligjshëm të Bregut Perëndimor.

 

Ato duhet të ndërpresin shitjen e armëve tek Izraeli, të pezullojnë format e tjera të bashkëpunimit si dhe të zbatojnë urdhrat e gjykatave ndërkombëtare kundër zyrtarëve izraelitë të përfshirë në abuzime me të drejtat e njeriut dhe krime lufte.

Evropa duhet të jetë udhëheqëse në këto përpjekje. Dështimi i fundit i Bashkimit Evropian për të pezulluar marrëveshjen e asociimit me Izraelin, ishte sipas Sekretares së Përgjithshme të Amnesty International, Agnès Callamard, “një tradhti mizore dhe e paligjshme”, por me sa duket zyrtarët e BE-së tani po e rishikojnë këtë vendim.

 

Njëkohësisht, BE-ja duhet të marrë në konsideratë edhe pezullimin e projekteve të përbashkëta të kërkim-zhvillimit në kuadër të programit “Horizon Europe”. Shtetet individuale të bllokut, mund dhe duhet të ecin përpara me masat e tyre individuale që kundërshtojnë shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.

 

Evropa është destinacioni i thuajse 1/3 së eksporteve izraelite. Qeveritë duhet ta përdorin këtë ndikim dhe të vendosin një bllokim të gjerë për tregtinë me vendbanimet e paligjshme të Izraelit në territoret palestineze. Ndërkohë, duke gjykuar nga fjalimi i presidentit amerikan Donald Trump në Kombet e Bashkuara, pothuajse me siguri Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë pjesë e problemit.

 

Gjithsesi, ka ende gjërat që mund të bëjnë politikanët pro-paqes në Amerikë. Konkretisht, anëtarët e Kongresit mund të paraqesin nisma që mbështesin shtetësinë palestineze, siç është letra drejtuar Dhomës së Përfaqësuesve me nismën e kongresmenit Ro Khanna.

 

Ndërkohë senatori Jeff Merkley, ka prezantuar një rezolutë që u bën thirrje Shteteve të Bashkuara të njohin Palestinën, të cilën e kanë përkrahur jo pak kolegë të tij në Senat. Por më e rëndësishmja: Kongresi duhet të mbështesë masat për të bllokuar shitjet e armëve në Izrael, siç është Akti i Bllokimit të Bombave i kongresmenes Delia Ramirez, së bashku me rezoluta të tjera për të ndaluar transferimet e mëtejshme të armëve.

 

Nuk ka gjasa që këto masa të ndryshojnë politikën e SHBA-së në një periudhë afatshkurtër, por ato janë të dobishme për të treguar se po mbaron epoka e “çekut të bardhë” të Perëndimit për Izraelin. Po ndalem sërish tek fjalimi i Gantz.

 

Ndërsa konsensusi politik i asnjë vendi, nuk duhet të lejohet që të funksionojë si një mburojë e pandëshkueshmërisë së përhershme, e vërteta është se çdo zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez, do të duhet të përballet me realitetet e politikës së brendshme, si izraelite ashtu edhe palestineze.

 

Për këtë arsye, vendet që vendosin sanksione ndaj Izraelit për shkeljen e ligjeve ndërkombëtare duhet ta kenë të qartë se ato do të marrin fund sapo të marrë fund shkelja e ligjeve nga Izraeli. Qëllimi nuk është të ndëshkohet Izraeli, por të sigurohet bashkëjetesa paqësore e të gjithë njerëzve në Izrael dhe Palestinë.

 

Pas çdo vendbanimi të ri izraelit që ndërtohet në territorin e pushtuar, bëhen më të zbehta perspektivat për një zgjidhje me ekzistencën e dy shteteve. Dhe në mënyrë të kuptueshme, kjo i ka çuar shumë njerëz në përfundimin se mbështetja e kauzës së një shteti palestinez është një iluzion.

 

Por deri më sot, Izraeli nuk ka ndjerë kurrë pasoja reale dhe të prekshme për politikat që synojnë shkatërrimin e perspektivës së krijimit të një shteti palestinez. Prandaj, imponimi i këtyre pasojave sot është më se i nevojshëm për të mbajtur gjallë çdo shpresë për një zgjidhje të drejtë të atij konflikti.

 

Në fjalimin e tij në OKB, Trump pretendoi se njohja e një shteti palestinez, është një “shpërblim” për terrorizmin. Në fakt, e kundërta është më afër të vërtetës: njohja politike e shpërblen diplomacinë. Sepse ishte dështimi i përsëritur i botës për ta ofruar atë në të kaluarën, ai që e ndihmoi Hamasin të lulëzojë.

 

Sulmi i egër i Hamasit më 7 tetor 2023, dhe hakmarrja barbare e Izraelit, kanë treguar edhe një herë se statuskuo-ja e pushtimit dhe bllokadës është e paqëndrueshme. Ta pranosh këtë nuk po shpërblen terrorizmin, por do të thotë thjesht të pranosh realitetin: Njerëzit nuk do të pranojnë të mbyllen në kafaz përgjithmonë.

 

Në mungesë të mjeteve paqësore për çlirim, ata do të zgjedhin mjete të dhunshme. Përfundimi i gjenocidit në Gaza, duhet të jetë përparësia më urgjente e botës. Nëse pasohet nga masa konkrete, atëherë mbështetja për shtetësinë dhe vetëvendosjen palestineze mund të jetë një pjesë e rëndësishme e këtij zhvillimi.Krijimi i një rruge të besueshme jo të dhunshme drejt çlirimit të Palestinës, është mënyra më e mirë për të shmangur gjakderdhjen në të ardhmen. Ndërsa mbyllja e kësaj rruge për të shmangur shpërblimin e terrorizmit, vetëm sa do të çojë në më shumë gjakderdhje.

 

Shënim: Matthew Duss, është nënkryetar i Qendrën për Politika Ndërkombëtare me qendër në SHBA. Gjatë viteve 2017-2022, ishte këshilltar për politikën e jashtme i senatorit amerikan Bernie Sanders.

 

XS
SM
MD
LG