Palestina është tani ndërgjegjja e botës, asnjë marrëveshje nuk do ta ndryshojë këtë

E maskuar si një pakt shtetarësh vizionarë, plani Trump-Netanyahu nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të imponuar dorëzimin pa kushte të palestinezëve...
Nga Soumaya Ghannoushi “Middle East Eye”
Ajo që prezantoi në fillim të kësaj jave presidenti i SHBA-së Donald Trump, nuk ishte një plan paqeje, por një parodi e tij; një marrëveshje e shpallur si një arritje e madhe, por që në fakt është produkt i negociatave midis një sponsorizuesi amerikan
dhe një autori izraelit, pa praninë e njerëzve, fatin e të cilëve e vulos ky dokument.
Trumpi u shfaq para mediave i buzëqeshur përkrah kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke e falënderuar këtë të fundit që ka “dakord” me një plan që e kishte hartuar vetë, ndërkohë që palestinezët nuk u panë gjëkundi.
Asnjë përfaqësues i Hamasit apo i Autoritetit Palestinez, asnjë prani qoftë edhe simbolike për t’i dhënë kësaj maskarade iluzionin e besueshmërisë. Kështu, Trump vazhdoi të sillet me të njëjtën logjikë koloniale që solli edhe Marrëveshjet e Abrahamit: të arrihen marrëveshje për Palestinën pa palestinezët.
Të festohet “paqeja” duke e injoruar pushtimin, bllokadën dhe spastrimin etnik nga ana e Izraelit. Të përdoret si papagall gjuha e pajtimit, por duke përjashtuar sistematikisht të vetmit njerëz që kanë të drejtë të flasin për veten e tyre.
Kjo marrëveshje nuk është negociatë; është një imponim. Është një dorëzim i maskuar si një pakt midis “shtetarëve vizionarë”. Netanyahu ka vrarë ose ka tentuar me herët të vrasë negociatorë, nga udhëheqësi i Hamasit Ismail Haniyeh, e deri te ata që u vunë së fundmi në shënjestër në Doha, ndërsa ata po diskutonin pikërisht mbi draft-marrëveshjen e Trump.
Politika e kryeministrit izraelit, ka qenë gjithmonë e qartë: elimino negociatorët, elimino negociatat, dhe më pas qëndro pranë Uashingtonit për të njoftuar një plan të hartuar nga partnerët e gjenocidit.
Për ta realizuar atë spektakël dinjitoz, u thirrën një mori udhëheqësish arabë dhe myslimanë - jo për të mbrojtur palestinezët, por për t'i ushtruar presion mbi ta.
Roli i tyre i caktuar, është të shërbejnë si mbulesë për Trumpin dhe Netanyahun.
Detyra e tyre nuk është të mbrojnë Palestinën, por ta shtyjnë atë drejt nënshtrimit.
Vetë Netanjahu u shpreh i habitur: “E kush mund ta besonte këtë?”, pra që regjimet myslimane do të siguronin një mbulesë për diktatin e Izraelit.
Vala e opinionit publik botëror po ndryshon
Lini mënjanë sjelljen teatrale të Trump dhe Netanyahut, dhe do të vini re se plani i tyre është kaotik. Ai përmban vetëm një element konkret: kthimin e pengjeve. Çdo gjë tjetër është thjesht tym dhe pasqyra.
Asnjë garanci për tërheqje, asnjë angazhim detyrues: vetëm premtime të paqarta, ndërsa trupat izraelite mbeten të ngulitura në Gaza. Ajo që Trump i ofroi Netanyahut nuk ishte kompromis, por fitore: pikërisht fitorja që ai dështoi ta arrinte me forcë, pas dy vitesh bombardime dhe masakra.
Izraeli dështoi që ta nënshtronteGazën. Ai dështoi të kthente pengjet në shtëpime anë të luftës. Dështoi që ta thyente vullnetin e palestinezëve për të rezistuar. Marrëveshja e Trumpit, është një përpjekje për ta kthyer humbjen në triumf; për të sjellë në jetë përmes diplomacisë, atë që nuk mund të fitohej në fushën e betejës.
Por Izraeli nuk është triumfues; ai është sot një shtet i izoluar. Në selinë e Kombeve të Bashkuara, Netanyahu shkoi të mbante fjalën e tij, ndërsa 77 delegacione dolën jashtë në shenjë proteste, duke e lënë atë të fliste para karrigeve bosh.
Sondazhet në të gjithë Evropën dhe SHBA-në, tregojnë se opinioni publik po anon në mënyrë vendimtare kundër Izraelit, teksa në krye të ndryshimit janë brezat e rinj. Vala e solidaritetit global me Palestinën po rritet, dhe asgjë nuk i tmerron më shumë Uashingtonin dhe Tel Avivin.
Ky është qëllimi i vërtetë i kësaj marrëveshjeje: të ndërpresë këtë valë të madhe solidariteti me Palestinën. Të shuajë vrullin e bojkoteve, protestave dhe një ndërgjegjeje globale në rritje.
Të zëvendësojë auroritetet palestineze me një kujdestari të imponuar, një “Bord Paqeje” të drejtuar nga Trump dhe të mbikëqyrur nga Tony Blair - një njeri, iluzionet koloniale dhe historia e përgjakshme e të cilit në Irak, e skualifikojnë atë nga administrimi i një oborri shkolle, e lëre pastaj për të ardhmen e Gazës.
Kjo që po ofrohet nuk është paqe. Është Fondacioni i Poshtërimit të Gazës i shkruar
me shkronja të mëdha, e njëjta makineri kontrollit të jashtëm, e maskuar me një zhargon humanitar.
Dhe sundimtarët myslimanë që ulen pranë Netanyahut - nga emiratasit që dialogojnë ende me të, teksa bota u kthye kundër tij në OKB, tek ata që tani parakalojnë pas podiumit të Trump - nuk janë partnerë në paqe.
Ata janë bashkëpunëtorë në dorëzim. Siç e tha ish-delegati i Egjiptit në OKB,
Motaz Khalil, kjo nuk është gjë tjetër veçse një “plan dorëzimi”. Ai u mbyll gojën palestinezëve, i pengon ata të përfaqësohen, dhe i jep Netanyahut fitoren absolute që ai premtoi dhe dështoi ta arrinte përmes luftës.
Historia nuk do të tregohet e butë me këtë moment. Një plan armëpushimi që përjashton të pushtuarit nuk është një plan paqeje. Është një diktat kolonial - gjuha e mandatit dhe tutelës e ringjallur për shekullin XXI-të.
Është e njëjta mendjemadhësi që premtoi gllabërimin e tokës palestineze, pa pëlqimin e tyre, me Deklaratën e Balfurit të vitit 1917. Mandate, protektorate, kujdestari: që të gjitha eufemizmat e perandorisë riciklohen për t'u mohuar palestinezëve zërin e tyre. Trump dhe Netanyahu, mund të hartojnë sa të duan plane, por jashtë sallave të konferencave të tyre, bota po ndryshon. Miliona njerëz po protestojnë në rrugë e sheshe, bojkotet po shtohen, opinioni publik po reshtohet në anën e të shtypurve. Batica po ndryshon, dhe asnjë marrëveshje në letër nuk mund ta ndalë atë. Palestina është shndërruar në ndërgjegjen e botës, dhe kjo nuk mund të negociohet në asnjë tryezë.
Shënim: Soumaya Ghannoushi, shkrimtare britaniko-tuniziane dhe eksperte mbi politikën e Lindjes së Mesme.