Lidhje


Halloween / Kotësia që shitet si festë

Në një shoqëri ku çdo gjë huazohet, edhe errësira vjen si modë. Halloween-i, dikur ritual krishtero-pagan që kishte të bënte me shpirtrat e humbur dhe shtrigat, është shndërruar sot në një festë mbrëmjeje me fytyra të lyera, me maska dhe zbukurime që s’mbartin më as frikë, as domethënie veç zbrazëti dhe konsum. Ironia është se vetë të krishterët, që dikur e përshtatën për të zbutur paganizmin, sot i janë dorëzuar sërish simbolikës së tij, tashmë të paketuar në tullumbace, make up dhe rrjete sociale.

 

Në Shqipëri, ky import i pakuptimtë u pranua pa asnjë reflektim. Një popull që ende s’ka mësuar të festojë të tijat, që s’di as të nderojë Ditën e Pavarësisë pa zhurmë politike, vrapon pas çdo feste të huaj si pas një iluzioni të rehatshëm. Dyqanet mbushen me maska demonësh, ndërsa fëmijët mësohen të “frikësojnë” për argëtim, pa kuptuar se po mësohen të adhurojnë grotesken. Kështu, një popull që s’ka liri shpirtërore, kërkon të ndjejë përkatësi në një festë që i përket kulturave të tjera një përpjekje e trishtuar për t’u dukur modern, ndërsa humbet vetveten.

 

Halloween-i është metafora e shoqërisë sonë: një përzierje e kotësisë me dëshirën për të harruar boshllëkun e brendshëm. Ajo që dikur ishte rit i frikës dhe pendesës, sot është shndërruar në festë të harresës. Dhe kur fëmijëve tanë ua prishim imazhin me demonë plastikë e ngjyra që simbolizojnë vdekjen, ne s’bëjmë gjë tjetër veçse i mësojmë të luajnë me errësirën  pa e kuptuar që, ngadalë, ajo po bëhet pjesë e tyre.

 

Në fund, Halloween nuk është festë; është pasqyrë. Dhe ajo pasqyrë po na tregon se çfarë jemi gati të bëhemi nëse vazhdojmë të marrim gjithçka nga të tjerët, por asgjë nga vetja.

 

 
XS
SM
MD
LG