Lidhje


Problemet globale të internetit, Cloudflare sqaron ndërprerjen: Nuk ka pasur sulm kibernetik

Gjatë ditës së sotme, një pjesë e madhe e internetit ka pësuar ndërprerje, duke prekur platforma botërore. Probleme të tilla u shfaqën edhe në gazetat online të Kosovës, ku qasja dhe funksionimi i tyre nuk ishin të mundur.

 

Kompania teknologjike Cloudflare, një nga shtyllat kryesore të infrastrukturës së internetit, ka dalë me sqarime, duke mohuar se bëhej fjalë për sulm kibernetik. Nga kompania është thënë se problemet u shfaqën për shkak të një “ndërprerjeje në gjigantin e infrastrukturës së internetit Cloudflare”, të cilën e identifikuan që në mëngjes.

 

Shefi i teknologjisë në Cloudflare, Dane Knecht, tha se problemet u shkaktuan nga një “bug latent” në sistemet që mbështesin mbrojtjen nga bot-et, i cili u aktivizua pas një ndryshimi rutinë konfigurimi. 

 

 

“Ky gabim filloi të shkaktonte kolaps në rrjet dhe degradim të gjerë të shërbimeve. Nuk ka qenë sulm,” deklaroi Knecht, duke shtuar se kompania i ka zhgënjyer klientët dhe po punon që situata të mos përsëritet.

 

Cloudflare njoftoi se ka zbatuar një zgjidhje dhe se shërbimet po rikthehen normalisht, megjithëse disa përdorues mund të përballen ende me vështirësi në qasje.

 

Ndërprerja e sotme vjen vetëm pak javë pas një problemi të ngjashëm në Amazon Web Services (AWS), duke rikthyer debatin mbi varësinë globale nga një numër i vogël kompanish teknologjike. Cloudflare aktualisht përdoret nga rreth 20% e të gjitha faqeve të internetit në botë./ballkanweb

XS
SM
MD
LG