Lidhje


Revolucioni Grek i vitit 1821: kryengritje kombëtare apo revoltë ortodokse ballkanike?

Revolucioni grek i vitit 1821 vazhdon të paraqitet në historiografinë klasike si momenti themelor i lindjes së kombit grek modern, një përballje lineare midis grekëve dhe Perandorisë Osmane. Megjithatë, ky interpretim, sado funksional për ndërtimin e narrativës shtetformuese, e thjeshton një realitet historik shumë më kompleks. Në fakt, kryengritja e vitit 1821 ishte më pak një revolucion etnik në kuptimin modern dhe më shumë një shpërthim i një bote ortodokse ballkanike, ku identitetet fetare, ekonomike dhe kulturore kishin përparësi ndaj vetëdijes kombëtare.

 

Në fillimshekullin XIX, Ballkani osman nuk ishte i ndarë në kombe, por në millete. Përkatësia themelore e individit nuk ishte “greke”, “bullgare” apo “shqiptare”, por ortodokse. Patriarkana e Kostandinopojës funksiononte si autoriteti kryesor për të gjithë të krishterët ortodoksë, pavarësisht gjuhës që flisnin. Kjo është arsyeja pse termi romios ,qytetar i botës bizantine të krishterë ,përdorej gjerësisht edhe nga popullsi jo-greqishtfolëse.


Historiani Mark Mazower e përshkruan këtë realitet me qartësi: “Në vitin 1820, pak njerëz në Ballkan do ta kishin kuptuar identitetin e tyre në kuptimin kombëtar që ne e njohim sot; feja dhe perandoria ishin koordinatat kryesore të vetëdijes.”


Brenda këtij konteksti duhet parë edhe struktura e revolucionit grek. Organizata Filiki Eteria, e themeluar më 1814 në Odesa, nuk rekrutonte mbi baza etnike, por mbi besimin ortodoks dhe gatishmërinë për t’u rebeluar kundër rendit osman. Anëtarët e saj vinin nga Peloponezi, Epiri, Maqedonia, Trakia, ishujt e Egjeut, por edhe nga komunitete tregtare të Ballkanit dhe Rusisë. Gjuha greke ishte mjeti i komunikimit elitar, por kjo nuk e bënte automatikisht lëvizjen “kombëtare greke” në kuptimin modern.


Në këtë hapësirë hibride shfaqen vllehët (aromunët), arvanitët dhe sllavët ortodoksë, përfshirë ata që sot do të identifikoheshin si bullgarë. Roli i vllehëve është më i dukshëm për shkak të pozitës së tyre ekonomike dhe kulturore. Ata kontrollonin rrjete tregtare që shtriheshin nga Vjena në Selanik, nga Bukureshti në Stamboll, dhe kishin qasje në arsim dhe kapital. Figura si Rigas Feraios, shpesh i paraqitur thjesht si “grek” , ishte në të vërtetë produkt i kësaj bote vllahe, ballkanike dhe kozmopolite. Ai nuk fliste për një shtet etnik grek, por për një republikë ballkanike post-osmane, ku popujt do të bashkëjetonin mbi bazën e barazisë qytetare.


Bullgarët, në anën tjetër, janë më pak të dukshëm në burimet greke, jo sepse mungonin, por sepse ende nuk ekzistonin si subjekt politik i vetëdijshëm kombëtar. Historiani bullgar Ivan Ilchev thekson se deri në mesin e shekullit XIX, shumica e bullgarëve e përkufizonin veten si “të krishterë” ose “romioi”, ndërsa termi “bullgar” përdorej shpesh si kategori gjuhësore ose shoqërore, jo politike. Për këtë arsye, sllavët ortodoksë nga Maqedonia, Trakia dhe Bullgaria jugore që morën pjesë në kryengritje u përfshinë në kampin revolucionar pa u regjistruar ndonjëherë si bullgarë.


Dokumentet e kohës flasin për luftëtarë “ortodoksë”, “të krishterë” apo “romioi”, jo për kombësi. Pas fitores, këta elementë ose u përthithën nga identiteti grek në formim, ose u zhdukën nga kujtesa historike. Kjo nuk ishte rastësi, por pjesë e një procesi të qëllimshëm ndërtimi kombëtar. Shteti grek, i lindur në vitet 1830, kishte nevojë për një histori homogjene, lineare dhe etnikisht të pastër. Çdo element që nuk përputhej me këtë model ose u “helenizua” retrospektivisht, ose u hesht.


Benedict Anderson e përshkruan këtë proces si thelbësor për çdo komb modern:“Kombet janë komunitete të imagjinuara, dhe historia është një nga mjetet kryesore për ta bërë këtë imagjinatë të besueshme.”


Në këtë imagjinatë, vllehët u bënë grekë, arvanitët u bënë grekë, ndërsa bullgarët , për shkak të afirmimit të tyre të vonë kombëtar, mbetën jashtë rrëfimit.
Paradoksi është se revolucioni grek u realizua nga një mozaik ballkanik, por u trashëgua si histori etnike. Ai ishte një kryengritje e botës ortodokse kundër sundimit osman, e cila vetëm më pas u përkthye në projekt kombëtar grek. Kjo nuk e zhvlerëson revolucionin, përkundrazi, e vendos atë në kontekstin e tij real historik dhe na kujton se kombet nuk lindin të gatshme, por formësohen përmes përjashtimeve, përvetësimeve dhe harresës selektive.


Në fund, pyetja nuk është nëse bullgarët morën pjesë apo jo, por pse pjesëmarrja e tyre nuk u lejua të mbijetojë në histori. Dhe përgjigjja gjendet jo në mungesën e fakteve, por në logjikën e shtetformimit modern, ku historia nuk shkruhet vetëm për të treguar të shkuarën, por për të legjitimuar të tashmen.

XS
SM
MD
LG