Lidhje


Qëndrimet anti-islame të serbëve gjatë historisë dhe dimensioni fetar i konfliktit shqiptaro-serb

 

Nga Adnan Qaka

 

“Të çdo xhami që serbët kalonin në vitin 1999 e shkatërronin ose e përdhosnin. Serbët e shihnin këtë luftë si fetare.”
Paul Refsdal, gazetar norvegjez.

 

Konflikti shqiptaro-serb është një konflikt me një histori të hershme. Në Mesjetë, konflikti shqiptaro-serb ishte për çështje kryesisht territoriale dhe ekspansioniste sllave (serbe) në trevat tona. Por me islamizimin e shqiptarëve gjatë periudhës osmane, përballja shqiptaro-serbe, përveç arsyeve territoriale, mori edhe një konotacion fetar.

 

Elementi fetar i kësaj përballjeje filloi të shfaqej edhe më fuqishëm nga fillimi i shekullit XIX, duke ruajtur këtë konsistencë të ashpërsisë dhe urrejtjes fetare të serbëve ndaj shqiptarëve myslimanë deri në ditët e sotme. Me shkatërrimin e Jugosllavisë dhe ardhjen e Millosheviqit në pushtet, Kisha Ortodokse Serbe u kthye në skenën politike të Serbisë. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Shenjtë të arqierinjve, në janar të vitit 1991, u vendos që asnjë vendim politik që ka të bëjë me Serbinë të mos merret pa pëlqimin e Kishës Ortodokse Serbe.

 

I njëjti kuvend i krishterë, në janar të vitit 1992, solli vendimin që të mos pranohen kufijtë ndërmjet republikave jugosllave. Dihet historikisht se Kisha Ortodokse Serbe ka pasur dhe ka ndikim të fuqishëm në jetën politike në Serbi; po ashtu, ajo ka ndikim të fuqishëm edhe te populli serb. Nga viti 2000, pas gjithë atij involvimi direkt të Kishës Ortodokse Serbe në luftërat në Ballkan, me fokus të veçantë në luftën ndaj myslimanëve të Ballkanit dhe gjenocidin ndaj tyre, ajo kërkoi që tashmë Serbia të shndërrohej në shtet fetar ortodoks, pasi përfaqësuesit e zyrës për mësim-besim pranë Patrikanës serbe kanë deklaruar se “do të duhej që shteti ta shpallte fenë ortodokse për fe shtetërore, gjegjësisht që shteti i Serbisë të verifikohej si shtet ortodoks”.

 

Kisha Ortodokse Serbe, e cila kishte bërë fushata aktive për krijimin e Serbisë së Madhe, kërkoi në vazhdimësi unifikimin e botës ortodokse kundër myslimanëve në Ballkan. Duhet cekur se procesin e serbizimit të Kosovës shteti serb e bënte në shumë fusha në Kosovë, sidomos në procesin e kolonizimit të Kosovës me banorë serbo-malazezë, proces që u intensifikua nga vitet 1990–1997. Po në këto vite, Kisha Ortodokse Serbe, në vende të ndryshme të Kosovës, ndërtoi 67 objekte fetare serbe, edhe pse në ato vende nuk kanë ekzistuar kurrë më parë objekte të tilla; pra, të gjitha këto kisha ishin politike.

 

Për fat të keq, inkriminimi i KOS-it (Kishës Ortodokse Serbe) gjatë konfliktit në vitet 1998–1999 mori përmasa të mëdha, saqë kryqi, si simboli më i lartë i kërkimit të faljes te të krishterët, nga forcat e armatosura serbe u kthye në një simbol për keqtrajtimin dhe tmerrin e të rinjve shqiptarë të besimit islam, duke vizatuar me thikë kryqin në pjesë të ndryshme të trupave të të rinjve shqiptarë. Ajo që është më tragjike është se Kisha Ortodokse Serbe kurrë nuk e ngriti zërin për t’i denoncuar krimet e gjenocidit kundër shqiptarëve. Serbët, në çdo fshat ku depërtonin, së pari digjnin xhamitë e fshatrave dhe vizatonin kryqin serb të rrethuar me katër “C”, që simbolizon se vetëm bashkimi e shpëton serbin, apo Serbinë e Madhe. Kjo shenjë, përndryshe e prejardhjes bizantine, është shpallur për stemë të Serbisë nga Mavro Orbini, e më pas për stemë të vetën e ka marrë Mitropolia e Beogradit (1724). Ky kryq me katër “C” ka qenë pjesë e stemës së Mbretërisë SKS, e sot është pjesë e stemës së Kishës Ortodokse Serbe dhe e stemës së Republikës së Serbisë.

 

Forcat serbe, teksa po tërhiqeshin me turp nga Kosova, pak kilometra para se të kalonin pikën kufitare, bënë aktet e fundit të dhunës mbi shqiptarët. Objekti i fundit që e dogjën ishte një xhami pesëshekullore e fshatit Dobërçan dhe shqiptari i fundit që e vranë ishte imami i saj, Nysret Hajdari. Ky akt i fundit, në fakt, dëshmon për qëllimin përfundimtar të politikës gjenocidale serbe ndaj kombit shqiptar dhe ndaj vlerave kulturore e fetare të tij.

 

Kisha Ortodokse Serbe ka qenë e involvuar direkt në gjenocidin e Serbisë në Bosnjë dhe në Kosovë, dhe për këtë ka mjaft fakte dhe dëshmi, si dhe akuza që e cilësojnë si përkrahëse të gjenocidit në Ballkan; këtë mendim e ndajnë edhe disa intelektualë serbë. Më 13 janar 1998, gazeta beogradase “Nasha Borba” paraqiti shkrimin e intelektualit të njohur serb Mirko Gjorgjeviq, me titullin “Kisha dëshmitare dhe pjesëmarrëse”, ku, përveç të tjerave, thuhet: “Shumëkush nuk e vëren se në periudhën e kaluar dhjetëvjeçare të diktaturës së Millosheviqit, Kisha ka qenë jo vetëm dëshmitare, por edhe pjesëmarrëse. Kjo nuk bën të harrohet. Në disa momente kritike, kur shihej se Millosheviqi politikisht do të vdiste, Kisha ia dha përkrahjen vendimtare, madje vetë patriarku, më 1995, ia dha Millosheviqit nënshkrimin blanko për t’i përfaqësuar të gjithë serbët. Kisha Ortodokse Serbe është në shërbim të nacionalizmit ekstrem, kështu që ajo ka tradhtuar misionin universal të saj.”

 

Se konflikti i fundit shqiptaro-serb ka qenë më shumë fetar sesa kombëtar nga pala serbe, këtë jo vetëm Kisha Ortodokse Serbe e ka cilësuar si të tillë, por edhe intelektualë, politikanë, si dhe gjeneralë e ushtarakë të nivelit të lartë të Serbisë e kanë konsideruar konfliktin e fundit si të tillë. Nga këta ushtarakë vlen të ceket thënia e kriminelit serb me nofkën “Arkan”, i cili kishte thënë se ne jemi duke luftuar për fenë tonë, Kishën Ortodokse Serbe, dhe për krijimin e një shteti të madh e të bashkuar serb. Po ashtu, diplomati i shquar amerikan Henry Kissinger, më 12 tetor 1998, pati thënë: “Çështja e Kosovës është një tragjedi e shkaktuar nga ndeshja midis islamizimit dhe krishterimit në Ballkan, që vazhdon qindra vite”. Se Kisha Ortodokse Serbe ishte e involvuar në gjenocidin serb ndaj shqiptarëve dhe se ishte promovuese e ekstremizmit ortodoks serb, flet qartë dokumenti nr. 371, i datës 29 tetor 1998, i nënshkruar nga episkopi i Rashkës dhe Prizrenit, që thërriste për luftë kundër shqiptarëve. Kisha Ortodokse Serbe, gjatë gjithë historisë, ishte në shërbim të politikës antishqiptare në Kosovë. Prandaj, ajo kishte në programin e saj ndërtimin e shumë kishave në fshatra dhe qytete të Kosovës me qëllim për t’i serbizuar këto vise.

 

Roli i Kishës serbe gjatë gjithë historisë ka qenë shumë destruktiv në shkatërrimin e identitetit kulturor, etnik dhe fetar të shqiptarëve të Ballkanit. Kisha Ortodokse Serbe është më tepër një organizatë politike sesa institucion fetar, gjithnjë në shërbim të idesë së Serbisë së Madhe, në shërbim të politikës imperialiste serbe.

 

Në esencë, në emër të Kishës, serbët kanë shkaktuar dhe akoma vazhdojnë të shkaktojnë çrregullime në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Sipas tyre, Kisha serbe duhet të gëzojë eksterritorialitetin kudo që ndodhet në botë, sepse ato konsiderohen si “territore të shenjta” ose, thënë ndryshe, sepse ato paskan “udhëzim hyjnor”; përderisa këto objekte janë të shenjta për serbët, ato duhet të mbikëqyren vetëm nga administratorët serbë të shtetit amë.

 

Sipas studiuesit të shquar Prof. Dr. Milazim Krasniqi: “Kosova si çështje religjioze serbe është një fiksim patologjik mbi një mit të konstruktuar, për hakmarrje ndaj islamit, në radhë të parë.”

 

Andaj duhet të themi se vetmja mënyrë që do të na mundësonte të përballemi fuqishëm ndaj Serbisë duhet të ishte rritja e nacional-islamizmit të shtetit tonë.

 

Fillet e urrejtjes serbe ndaj islamit datojnë qysh në kohën e Shën Savës; ai ka pasur qëndrime të apasionuara dhe të hapëta armiqësore ndaj islamit; ai kishte fyer, shpifur dhe mallkuar islamin, profetin Muhamed a.s. dhe Kuranin famëlartë.

 

Serbët kanë qenë dhe janë promovuesit më të mëdhenj të islamofobisë në rajon. Termi “fundamentalizëm islamik ballkanik” për herë të parë është paraqitur nga orientalisti dhe islamofobi i shquar serb, Dr. Miroljub Jevtiq, më 1983. Ky ekstremist sllavo-ortodoks diletantizmin e tij në fe dhe në politikë do ta shprehte në librin e tij plot gënjeshtra dhe halucinacione me titullin “Kush dëshiron shtet islamik në Ballkan?”, libër i botuar në vitin 1995, i cili synonte të mistifikonte dhe të satanizonte luftërat dhe përpjekjet e drejta të shqiptarëve dhe boshnjakëve për liri dhe pavarësi.

 

Kisha Ortodokse vazhdon me qëndrim tepër radikal dhe shovinist edhe sot; ajo nuk ka ndryshuar asgjë në raport me shqiptarët dhe myslimanët e Ballkanit. Kisha Ortodokse Serbe kërkon një zgjidhje ushtarake ose zgjidhje tjetër të bazuar në forcë në raport me Kosovën. Kështu, do t’ju kujtojmë vetëm se në nëntor 2015, në një prononcim për “Večernje Novosti”, vetë Irinej tha se “i kemi mbrojtur shenjtërit e Kosovës dhe do t’i mbrojmë me të gjitha mjetet njerëzore, por nëse është e nevojshme do t’i mbrojmë me forcë”, dhe kjo dëshmon më tej për gatishmërinë për të mbrojtur me forcë “shenjtërit e Kosovës”; ai ka thënë më tutje: “Kosova është Palestina jonë, Jerusalemi ynë”.

 

Shihet qartë se edhe në këtë shekull të ri, Kisha Ortodokse Serbe dhe shteti serb në përgjithësi raportin Kosovë-Serbi e kanë paraqitur si një çështje fetare dhe kulturore; shqiptarët nuk kanë pasur qëndrime të njëjta me serbët; luftërat i kanë bërë me qëllime dhe karakter çlirimtar e kombëtar. Konflikti shqiptaro-serb përfundon vetë atëherë kur Kosova konsolidohet dhe zhvillohet në mënyrë të jashtëzakonshme, si dhe atëherë kur bëhet denazifikimi, demilitarizimi, demokratizimi dhe copëtimi i Serbisë. Kosova duhet të jetë e vëmendshme ndaj fushatës së ashpër të islamofobisë që e ka kapluar; sulmi ndaj islamit në Kosovë nga ekstremistët ortodoksë serbë dhe nga ekstremistët katolikë shqiptarë, si dhe nga katolicentristët, po e dëmton imazhin e Kosovës jashtë vendit dhe po krijon një klimë përçarëse. Sulmi ndaj islamit në Kosovë bëhet nga qarqet antikosovare dhe antiislame; andaj them se islami në Kosovë dhe në përgjithësi në shqiptari duhet të mbrohet edhe politikisht. Nuk mund të jesh kombëtar duke qenë islamofob, sepse islami te shqiptarët ka paraqitur dhe paraqet një bazament tepër të rëndësishëm dhe një faktor vendimtar në ruajtjen, kultivimin dhe mbijetesën tonë kombëtare. Shqiptarët myslimanë duhet të promovojnë mirëkuptim fetar ndaj çdo feje dhe minoriteti etnik në Kosovë, por gjithmonë të jenë të gatshëm që ta mbrojnë fenë islame, kombin dhe gjuhën tonë shqipe.

XS
SM
MD
LG