Histori/ “…një çerek shekulli nuk mund të na ndajë!” – Intervista e Ahmet Zogut me gazetën turke në vitin 1939
Nga Samuel Laze
Intervista e 8 korrikut 1939 në hotelin “Pera Palace” të Stambollit paraqet Ahmet Zogun si një figurë dinjitoze në mërgim, të lidhur fort emocionalisht me Turqinë dhe veçanërisht me Stambollin, ku kishte kaluar rininë dhe arsimimin. Në bisedën me gazetarin e “Yeni Gün”, Zogu shpreh admirim për veprën e Mustafa Qemal Ataturkut dhe pasuesit të tij Ismet Inonu, duke theksuar rolin e një Turqie të fortë si garanci për paqen në Ballkan dhe për lirinë e popujve të vegjël. Ai nënvizon miqësinë historike shqiptaro-turke me frazën domethënëse “një çerek shekulli nuk mund të na ndajë”, ndërsa sa i përket pushtimit të Shqipërisë, pohon se ka protestuar pranë Lidhjes së Kombeve dhe se, për sa kohë të jetë gjallë, nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për rikthimin e pavarësisë së vendit, të cilën e cilëson më të shenjtë se vetë jeta.


Intervista e zhvilluar nga Ahmet Zogu më 8 Korrik 1939 për gazetën “Yeni Gün” në hotelin Pera Palace, Stamboll.
***
Ambasadori njoftoi në dhomë që:
-Shkëlqesia, Mbreti po nderon me prezencën e tij!
U ngrita në këmbë. Zogu, i buzëqeshur po afrohej me hapa të shpejtë dhe duke më shtrënguar dorën më tha:
-Mirëseerdhët!
– Ju shpreh konsideratat e mia, Shkëlqesi… Ju shqetësova!
Teksa pozicionohej në kolltuk:
– Përkundrazi, -tha- jam shumë i gëzuar.
Dhe menjëherë ma bëri me shenjë të ulesha te kolltuku që ndodhej pranë tij. Te ai nuk dukej një ish-mbret që pranon në audiencën e tij një gazetar, por dukej si një zot shtëpie mikëpritës dhe i sjellshëm që priste një mikun e tij të afërt.
Nxorri nga xhepi një paketë të markës ”Boğaz içi”. Teksa griste ambalazhin ambasadori kishte përgatitur shkrepsen. Duke përfituar nga rasti po e analizoja. Kureshtja ime ishte në një gjendje të plotë mobilizimi…
Flokët paksa të verdhë ishin krehur anash në mënyrë madhështore. Kishte një veshje gri dhe gjithshtu një këmishë me të njëjtën ngjyrë por paksa më të hapur dhe një kollare po në të njëjtën ngjyrë dhe me vija të kuqe që e shoqëronte ndërsa te këmbët kishte një palë këpucë elegante bojë kafe.
Sytë nuk i kishte jeshil por as blu nuk mund t’i quaj, këto dy ngjyra ishin në përballje me njëra-tjetrën për të mbizotëruar te ato dy sy me shikim fisnik ndërsa mustaqet e zverdhura të përdredha i jepnin një pamje tjetër burrërore fytyrës së tij por zëri, sikur nuk ishte në atë kallëp… Fliste në mënyrë harmonike por jo si mbret. Nuk i ngjasonte zërave mendjemëdhenj që ushqen fisnikëria e gjakut, postit dhe parasë.
– A do riktheheni sërish, Shkëlqesi?
– Po… Unë e ndjej veten sikur jam gjysmë nga Stambolli.
– A mund t’ju pyes për arsyen që u bë shkak të largoheni nga Stambolli?
– Nëse nuk do kishim disa punë të posaçme dhe disa mendime të cilat lidhen me Shqipërinë, nuk do të donim të largoheshim nga këtu qoftë edhe për një periudhë të shkurtër. Unë personalisht kohërat më të bukura të jetës sime i kam kaluar në këtë qytet elegant.
Shembullin më ë bukur të kasaj e tregonte gjuha e mbretit. Shkëlqesia e Tij, me të vërtetë fliste një turqishte të përkryer, nuk vihej re aspak aksenti shqiptar.
-Më patët pyetur më herët për përshtypjet e mia në lidhje me vendin tuaj, apo jo? Gjatë kësaj kohe të shkurtër të qëndrimit tim në Stamboll nuk arrita të shoh shumë. As vilajetet e tjera të Turqisë nuk pata mundësi t’i vizitoja. Por me aq sa pashë në Stamboll mund të them se kam mbetur shumë i mahnitur. Jam adminues i veprave të të madhit, heroit Ataturk për të cilin jam shumë i prekur që nuk arrita ta shoh dhe veprave të pasuesit të tij të denjë, tashmë Kryetarit të Republikës suaj, Ismet Inonusë.
-Çfarë ju tërheq më së shumti vëmendjen këtu?
Zogu I, u përgjigj menjëherë pa e parë të nevojshme të mendohej:
– Nëse ka diçka që më së shumti më tërheq vëmendjen dhe më jep një gëzim të posaçëm, është rëndësia që Turqia i jep rinisë dhe suksesi që tregoi në jetën sociale.
Pas një heshtjeje të shkurtër vazhdoi e tha:
– Gazetria ka një mision të madh: T’i tregojë popullit tuaj madhështor e fisnik që të qërndrojë gjithnjë i fortë. Ato që pashë tregojnë rikthimin e madhështisë e fuqisë së Turqisë në kohën e lavdishme dhe kjo është vepër e dy liderëve të mëdhenj dhe mendimit intelektual (efqar-i mynevvere) turk. Një Turqi e fortë dhe e fuqishme për të arritur çdo gjë që synon është një garanci jo vetëm për popullin turk por edhe për pavarësinë dhe lirinë e popujve të vegjël. Një mirëqenie dhe paqe e palëkundur në Ballkan është e mundur vetëm me ekzistencën e një Turkiye të fortë. Elhamdylilah, këtë po e shohim sot në një Turqi të re dhe energjike. U jemi pafundësisht mirënjohës qeverisë suaj republikane, opinionit publik dhe gazetarisë për interesimin e treguar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një çerek shekulli nuk mund t’i ndajë zemrat turke dhe shqiptare që janë bashkuar prej shekujsh. Që nga periudha kohore e Luftërave Ballkanike këto zemra nuk e kanë humbur ngrohtësinë dhe ndjenjat e zjarrta që ndjejnë për njëra-tjetrën. Prandaj, ju lutem në mënyrë të posaçme, shkruajeni se do ju jemi përjetësisht mirënjohës për përkujdesjen e treguar ndaj meje, Shqipërisë dhe shqiptarëve.
– Si ju duk Shkëlqesisë së Saj, Mbretëreshës vendi ynë?
-Pa dyshim edhe ajo është admiruese e Stambollit. Madje është prekur shumë që do ndahet nga Stambolli. Veçanërisht është mahnitur shumë me pjesën e Bosforit. I kam folur gjithnjë asaj për bukuritë e Stambollit. Sikurse e dini unë jam gjendur shumë në Stamboll. Rinia ime pothuajse e gjitha ka kaluar këtu. Arsimimin tim e përfundova në Stamboll.
– Çfarë përpjekjesh keni bërë për shpëtimin e Shqipërisë?
Gjuha, duke bërë marrëveshje me kureshtjen time më tradhtoi dhe më detyroi ta bëja këtë pyetje sepse nuk e kisha në plan ta hapja këtë temë.
– I dërgova një shkresë zyrtare Lidhjes së Kombeve (Xhemijet-i Akvam). Protestova për këtë situatë.
– Po mendoni të punoni më shumë në lidhje me këtë, Shkëlqesi?
Kur ngriti kokën të jepte përgjigje, sytë e tij që shndërrisnin nga rrezet e fundit të diellit që po perëndonte mbi liman , ishin plotë shpresë, guxim dhe energji.
– Për sa kohë të jemi gjallë nuk mund t’i braktisim përpjekjet për rikthimin e pavarësisë së Shqipërisë. Ju e dini që pavarësia e një populli është më e shenjtë se jeta e tij dhe çdo gjë tjetër.
Mbreti pas pak do nisej drejt Francës. Nuk do ishte mirë t’i harxhoja më shumë kohë. I kërkova leje. Kur shtrënguam duart më pyeti:
– Nuk e di nëse mbetët të kënaqur?
– Shumë, Shkëlqesi!
Po zbrisja shkallët. Jashtë ishte bërë natë. Në këtë natë mbreti po nisej të gjente pak dritë për vatanin e tij. A do t’ia arrijë? Kush e di… ky është kaderi…!
Nusret Safa Xhoshkun