Sedâ-i Millet – Zëri i Islamit në Shqipëri (1913-1915)
Përgatiti Samuel Laze
Në ditët e sotme edhe pse media konsiderohet si pushteti i katërt, në fakt për nga rëndësia dhe funksioni që mbart është e qartë që luan rolin kryesor në përgatitjen e terrenit psikologjik për vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e pushteteve të tjera. Është pikërisht media ajo që kryen operacionet e krijimit të perceptimeve në opinionin publik. Emërtimet dhe temat e emisioneve e rubrikave, të ftuarit, pyetjet që drejtohen, përgjigjet që kthehen, komentet, leksiku që përdoret, algoritma, mesazhet subliminale që përcillen... Asnjë prej tyre dhe çfarëdolloj nocioni tjetër që preket nga gishti i medias nuk është rastësi! Të gjitha këto rrotullohen rreth boshtit ideologjik ku bëjnë pjesë.
***
Të parët tanë, duke e njohur mjaft mirë këtë realitet, në sajë të ferâsetit (aftësia për të kuptuar përtej asaj që duket) e ndjenë paraprakisht dhimbjen e atentatit ndaj identitetit shqiptar dhe sovranitetit të Shqipërisë që do zbatohej në shekullin e XX. Për këtë arsye, edhe pse ishin të vetëdijshëm që duart i kishin të lidhura dhe nuk mund të notonin dot kundra rrymës që po vinte, edhe pse e kuptuan që shqiptarinë tani e priste “qameti”, me shprehjen e tyre “për t’i shpëtuar përgjegjësisë morale” dhe “për t’i përgatitur terrenin pasardhësve” u përpoqën të mbillnin një fidan të fundit para furtunës që do shkaktonin komitetet e fshehta në vendin tonë. Në një hadith-i sherif urdhërohet e thuhet që : “Edhe po ta dini se nesër bëhet qameti, mbilleni fidanin që keni sot në dorë”
Sedâ-i Millet, ishte gazeta e parë - pas krijimit të shtetit – që u rrjeshtua qartë në krahë të vlerave tona kombëtare dhe interesave të Shqipërisë kundrejt invazioneve rajonale dhe qarqeve anti-shqiptare të cilat përveç copëtimit fizik të trevave tona, në radhë të parë më herët kishin planifikuar dhe po aplikonin intensivisht përçarjen në botëkuptim. Në kohët më të hershme principatat ndaheshin dhe kufizoheshin në njësi të caktuara territoriale, ndërsa sot çdo familje, mbase dhe çdo anëtar në familje është një “principatë” më vete për nga botëkuptimi që ka përvetësuar. Rrjedhimisht është shumë e vështirë t’i bësh “ dy mendje bashkë”. Sikurse thotë edhe myfesiri i mirënjohur Mevlana Xhelaleddini Rumi Hz. : “Njerëzit nuk kuptohen ngaqë flasin të njëjtën gjuhë por ngaqë ndajnë të njëjtat ndjenja.”
Emërtimi si “Sedâ i Millet” sot mund të tingëllojë si i huaj, arkaik apo turqizëm por për kohën dhe brezat e atëhershëm ishte një zgjedhje mjaft e goditur apo nëse do shprehemi dhe ne me shqipen e vjetër, ishte me isâbet. Disa Sedâ-i Milletin duan ta përkthejnë si Zëri i Popullit, mirëpo fjala latine “popull-populus” nuk është ekuivalente me nocionin “mil’let” pasi populli ka të bëjë me një grumbull të madh njerëzish ndërsa milleti nënkupton një bashkësi njerëzore me unitet në mendime dhe ndjenja. Njerëzit që gëzohen dhe mërziten për të njëjtat gjëra konsideohen i njëjti milet. Fjala latine popull mund t’i afrohet deri diku fjalës sonë “hallk”.Gjithashtu fjala “sedâ” mbart kuptimin e zërit harmonik, të bukur, të përshtatshëm, origjinal...Nuk duhet ta harrojmë se atentati që i është bërë gjuhës shqipe shekullin e fundit është pjesë e atentatit ndaj Islamit. Kush do ta shikojë se si ka qenë shqipja klasike le të lexojë mevludin e Hafiz Ali Ulqinakut. Mevludet shkruheshin me gjuhen e njerëzve të thjeshtë në mënyrë që të mund të kuptoheshin nga të gjithë.
***
Tani të kthehemi te gazeta. Sedâ i Millet është botuar në dy gjuhë edhe në shqip edhe turqisht. Në arkivat e A.Q.SH kemi mundur të gjejmë numrin e parë të botimit por vetëm në gjuhën turke (osmanisht) pasi siç duket (shpresoj të jemi gabim) kopjet në gjuhën shqipe i kanë zhdukur të gjitha (ose kanë humbur) për arsye që i kemi renditur në shkrime të tjera. Më poshtë do të paraqitet përkthimi i shkrimit të parë, të numrit të parë në shqipen moderne:
SEDÂ-I MILLET
Viti i themelimit: 1329 – 1331
Viti i Parë, nr: 1 (Xhuma), 14 Shaban 1331, 5 Korrik 1329
(Data shënohej sipas dy kalendareve; hixhri dhe rumi. Kalendari rumi filloi të përdorej gjatë periudhës së Sulltan Abdylmexhidit (1823-1861). Kjo për arsye të lehtësimeve në proceset e mbledhjes së taksave sepse sipas kalendarit hënor i cili duke qenë se ka fiks 355 ditë, muajt rastisin në stinë të ndryshme brenda një numri të caktuar vitesh dhe në këtë mënyrë koha e mbledhjes së taksave qëllon edhe në dimër, gjë që nënkuptonte më pak arkëtime në thesarin e shtetit. Për këtë arsye shpikën kalendarin rumi i cili sërish merrte si kriter hixhretin por muajit dhe vitet i llogariste në bazë të lëvizjes së diellit dhe jo të hënës. Në Shqipëri të dyja këto kalendare u zëvendësuan me kalendarin e sotëm gregorian në kohën e A. Zogut i cili ishte një imitues i dobët i Mustafa Qemalit. /shënim i përkthyesit)
Vendi i Administrimit (Mahal-i Idare)
Shkodër: Parrucë, Zyra e Posaçme (Daire-i Mahsusa)
Çmimi i abonimit: Për krahinën, tarifa vjetore : 30, ndërsa tarifa 6 mujore 20 groshë (gurush)
Lajmërim Special
Shkrimet që i shërbejnë kombit dhe janë në të mirën e vendit do të pranohen dhe publikohen me shumë kënaqësi.
Dokumentet që nuk publikohen nuk kthehen sërish.
Për njoftime apo çështje të tjera duhet t’i drejtoheni zyrës qëndrore.
Tani për tani, numri i ri do botohet një herë në javë.
Gazetë din-i, politike (sijaset), shkencore dhe opinioniste.
20 pare
Arsyeja e kësaj iniciative dhe qëllimi i botimit
Bota njerëzore, për të mbërritur në zhvillimet dhe lehtësimet e sotme ka kaluar përmes një mijë rrugëve me pengesa dhe për t’i lënë brezave në vijim gjurmë të mira dhe vepra të dobishme nuk është kursyer për të treguar çfarëdolloj sakrifice përballë vështirësive që ka hasur. Në këtë mënyrë ka mundur me sukses të nxjerrë në pah këto arritje të jashtëzakonshme, të cilat pjesërisht mund t’i shohim, ndërsa një pjesë fatkeqësisht i mohojmë kur i dëgjojmë.
Edhe pse për përgatitjen e terrenit të nevojshëm duke lehtësuar realizimin dhe sigurimin e suksesit në këto arritje të jashtëzakonshme kanë shërbyer dhe vazhdojnë ende të shërbejnë shumë instrumente (vasëta), ne besojmë se mes tyre, më e rëndësishmja është kategoria e medias (sënëf-i matbaat).
(Këtu fjalën “matbaa” e cila ka kuptimin e vendit ku shktypen libra, gazeta, revista, broshura, karta... e përkthyem si “media” duke marrë parasysh kontekstin dhe qëllimin në të cilën është përdorur)
Meqë e dimë se këtë të vërtetë e aprovon çdo mendimtar, nuk e gjejmë të tepërt të themi disa fjalë në lidhje me mënyrën e krijimit të medias.
Studiuesit dhe analizuesit e historisë na bëjnë të ditur që: njerëzimi në ezmine-i kadime, pra në epokat e hershme, është rritur e edukuar në një mënyrë të papranueshme si rezultat i brutalitetit primitiv dhe për shekuj me radhë është mbytur në tufanin e trazirave.
Kur filloi të kuptohej se kjo mënyrë jetese ishte tërësisht e panevojshme, ishte një përplasje e kotë, pa arsye, dhe një zhurmë boshe, dita-ditës iu përveshën punës duke kërkuar për rrugët dhe mjetet efikase për ta larguar veten e tyre nga epiteti i brutalitetit primitiv, për një kohë të gjatë në atë luginë hulumtimesh arritën të avanconin duke u përpjekur me të gjitha forcat që kishin. Me pak fjalë, ndjenë nevojën për të jetuar në formën e një shoqërie. Duke qënë kështu, të gjithë kryetarët e fiseve dhe ashireteve me qëllimin e pastër për të shërbyer në ndriçimin e mendjes dhe kultivimin e moralit të bukur te populli që kishin nën sundimin e tyre, nuk nguronin të jepnin këshilla dhe të thoshin fjalë të urta me një gjuhë të përshtatshme për ta në vendet ku mblidheshin së bashku.
Vazhdimësia e kësaj gjendjeje filloi të nxjerrë në pah te ta në një mënyrë krejt të natyrshme emocione, ndjenja dhe ide të reja.
Me qëllimin për t’i avancuar këto ide të reja dhe për të siguruar dobi të mëdha, çdo komb dhe çdo shoqëri filloi të kërkojë për shpikjen e diçkaje që do t’i mundësonte përhapjen në masë të qëllimeve dhe synimeve të tyre dhe në këtë drejtim nisën të punonin në mënyrë serioze. U përballën me vështirësi të hatashme. U përballën dhe u përplasën por në një mënyrë apo një tjetër arritën suksesin e ekzistencës së botës së medias në ditët e sotme.
Sot njëzëri dihet në mënyrë të pakontestueshme që një komb të mund të jetojë, të ketë prosporitet, mirëqenie e të jetë i moralshëm duhet me patjetër t’i shërbejë diturisë, shkencës dhe kulturës shpirtërore, t’i kërkojë dhe t’i gjejë rrugët se si mund të shërbejë atyre.
Sërish mjeti më efikas që do të hapë dyert e bahçes së diturisë dhe do t’i udhëheqë kërkuesit e mirësisë e kulturës është media.
(Këtu në lidhje me fjalën “hadika-i marifet” që e kemi përkthyer në mënyrë të “sajuar” si “bahçe e diturisë” duhet të sqarojmë dallimin midis diturisë, ilmit, dhe marifetit. Këto koncepte janë përdorur në gjuhën shqipe deri sa u eleminuan në mënyrë të posaçme në shek. XX. Le t’i shpjegojmë me anë të një shembulli të thjeshtë: Një njeri vrojton retë që janë mbledhur e errësuar dhe e kupton se pas pak do bjerë shi. Kjo është dituria. Një njeri tjetër e shpjegon këtë ngjarje me argument; avulli i ujit ngrihet nga toka dhe detet, ftohet në atmosferë dhe formohen retë. Kur pikat e ujit në re bëhen të rënda dhe bashkohen bien në tokë në formën e shiut. Kjo është ilm. Ndërsa një njeri tjetër arrin ta kuptojë se këto mekanizma tregojnë mënyrën se si Allahu e drejton universin, pra arrin të shohë pasqyrimin e emrave të Tij pas ngjarjeve. Kjo është marifet. Zotëruesit e marifetit quhen “arif”. Sot fatkeqësisht, kur dikish dëgjon fjalën marifet i shkon në mendje ndonjë mashtrim apo vjedhje. Këtë shpjegim e bëmë që të kuptohet se sa e rëndë është goditja që i është bërë botëkuptimit tonë me eleminimin e terminologjisë islame nga fjalori i shqipes dhe nuk ka për qëllim të japë leksione marifeti sepse një gjë të tillë as nuk kemi të drejtë e as kompetencë ta marrim përsipër.)
Një komb pa media, ashtu sikurse nuk mund të arrijë asnjë nga synimet e veta, ashtu edhe nuk është e nevojshme të shpjegohet që në brezat e ardhshëm do të shkaktojë dëmtimin e rëndë të ekzistencës kombëtare.
Por ne, duke qenë se besojmë fuqimisht se këto të vërteta të hidhura do të manifestohen (tezahyr) një ditë, për t’i shpëtuar përgjegjësisë morale ose të paktën për t’i përgatitur terrenin pasardhësve tanë, do t’i bëjmë ballë çdo vështirësie për kryerjen e këtij misioni të rëndësishëm duke përdorur një mjet me anë të së cilit do të mbrojmë të drejtat tona.
Shpresojmë se kjo përpjekja jonë do të mirëpritet nga të gjithë bashkombësit tanë dhe gabimet që mund të ndodhin për shkak të natyrës sonë njerëzore do të na i falin për hatër të nijetit tonë të pastër (hysn-i nijet). Por vetëm kaq? Jo, sigurisht që nuk do kursehen për çfarëdolloj ndihme, veçanërisht me ndihmën e kalemit, të cilën e kërkojmë me përulësi nga ylemaja jonë bujare e fisnike.
E shohim të vlefshme për ta përmendur edhe këtë:
Gazeta jonë nuk i shërben qëllimeve të asnjë individi apo shoqërie të caktuar dhe nëse ka diçka ku mbështetet është vetëm din-i, milleti dhe vazifeja (misioni, detyra). Ndërsa kundrejt fuqive që duan t’i mbulojnë këto të vërteta që kemi shkruar do të mbrohet me gjithë qenien e vetë dhe në këtë mënyrë do të vazhdojë botimin e saj.
Nëse arrihet sukses, çfarë lumturie!
(ve minallahi tevfik)
Redaksia
Vazhdon...