Lidhje


Midis monoteizmit dhe bestytnisë: Bajrami dhe Dita e Verës

Nga Hoxhë Xhemis Stafa

 

Në historinë e shoqërive njerëzore, festat nuk janë vetëm momente gëzimi, ato janë pasqyra të botëkuptimit të një populli për jetën, veten dhe atë që ata besojnë. Përmes festave shfaqet mënyra se si një shoqëri e kupton universin, natyrën dhe marrëdhënien e saj me Zotin. Në këtë kuptim, dallimi midis festave monoteiste dhe festave me origjinë pagane nuk është vetëm historik, por edhe filozofik dhe fetar.

 

Në traditën islame, dy festat kryesore janë Fiter Bajrami dhe Kurban Bajrami. Këto festa lidhen drejtpërdrejt me adhurimin e një Zoti të vetëm dhe me ngjarje të mëdha të besimit. Në kontrast me to, Dita e Verës, e njohur sidomos në Elbasan, është një festë që historikisht lidhet me ritet e pranverës dhe me simbolikën e natyrës në kulturat e lashta pagane.

 

Fjala pagane vjen nga latinishtja Paganus, e cila fillimisht do të thoshte: banor i fshatit, njeri i zonave rurale. Kur u përhap krishterimi në Perandorinë Romake, qytetet u konvertuan më shpejt në fenë e re, ndërsa fshatrat ruajtën më gjatë fetë e vjetra politeiste. Për këtë arsye, të krishterët filluan të përdorin fjalën paganus për njerëzit që vazhdonin besimet e vjetra.

 

Në filozofinë fetare islame, festa nuk është thjesht një moment argëtimi, ajo është një shprehje e besimit në një Zot të vetëm. Fiter Bajrami vjen pas një muaji adhurimi, sakrifice dhe disipline shpirtërore. Agjërimi i Ramazanit është një përpjekje për të pastruar shpirtin dhe për të forcuar lidhjen me Zotin. Bajrami është gëzimi që vjen pas kësaj përpjekjeje.

 

Kurban Bajrami lidhet me sakrificën e Profetit Ibrahim dhe me idenë e dorëzimit të plotë ndaj vullnetit të Allahut, vjen pikërisht pas adhurimit të Haxhit si festë e plotësimit të këtij adhurimi. Kjo festë simbolizon një nga themelet e monoteizmit: besimin se njeriu duhet ta vendosë Zotin mbi çdo gjë tjetër.

 

Pra Bajrami është festë sepse:
lidhet me adhurimin e Zotit
buron nga shpallja hyjnore
ka domethënie morale dhe shpirtërore.

 

Ndryshe nga Bajrami, Dita e Verës buron nga një botëkuptim shumë më i vjetër pagan dhe jo monoteist. Në kulturat e lashta, ardhja e pranverës shoqërohej me rite për pjellorinë, ardhjen e kohës së mbjelljes dhe për ringjalljen e natyrës, si edhe për largimin e të ftohtit. Në atë kohë këto ishin shumë domethënëse për njeriun, por në vend që të adhuronin Zotin e kohës dhe stinëve, ata adhuruan natyrën.

 

Shumë nga zakonet e kësaj dite janë mbetje të këtij botëkuptimi:
ndezja e zjarreve për “pastrim” simbolik
lidhja e verores si shenjë mbrojtjeje
besimi se disa veprime në këtë ditë sjellin fat ose largojnë të keqen.

 

Nga pikëpamja filozofike, këto janë forma të magjisë simbolike. Njeriu i lashtë mendonte se mund të ndikonte fatin dhe natyrën përmes ritualeve pagane. Në teologjinë monoteiste islame kjo mënyrë të menduari shihet si problematike, sepse fuqia mbi fatin dhe mbi natyrën i takon vetëm Zotit.

 

Bestytnia lind kur njeriu fillon t’u japë gjërave të zakonshme një fuqi që nuk e kanë.

 

Kur një njeri beson se:
një fill i lidhur në dorë sjell mbrojtje
një ritual në një ditë të caktuar sjell fat
një zakon largon të keqen, atëherë ai po i atribuon një fuqi që në monoteizëm i përket vetëm Zotit. Kjo është paganizëm dhe për këtë Zoti nuk jep bekimin.

 

Filozofikisht, bestytnia është një formë e ankthit njerëzor përballë fatit. Njeriu kërkon siguri dhe kontroll mbi të ardhmen, dhe për këtë krijon simbole që i japin ndjenjë mbrojtjeje. Feja monoteiste e zëvendëson këtë logjikë të gabuar me një tjetër: besimin dhe mbështetjen tek Zoti (tevakul). Në thelb dallimi midis Bajramit dhe Ditës së Verës është një dallim midis dy mënyrave të të kuptuarit të botës.

 

Në festën monoteiste:
Zoti është qendra e gjithçkaje
njeriu feston për adhurimin dhe mirësinë e Tij
gëzimi lidhet me moralin dhe falënderimin.

 

Në festën pagane:
natyra dhe ciklet e saj bëhen simboli kryesor
ritualet synojnë fat, pjellori ose mbrojtje simbolike
kuptimi shpesh lidhet me bestytninë dhe prapambetje psikologjike.

 

Kjo kritikë nuk ka për qëllim të mohojë kulturën popullore, por të bëjë një reflektim më të thellë: jo çdo traditë është neutrale nga pikëpamja e besimit.

 

Një shoqëri që e merr seriozisht fenë e saj duhet të dallojë midis:
festave që burojnë nga shpallja dhe monoteizmi
dhe zakoneve që janë mbetje të botëkuptimeve pagane.

 

Profeti Muhamed a.s., kur iu shpall Kurani, u tha njerëzve të cilët festonin festat pagane Nevruz dhe Mahraxhan se Zoti ua ka zëvendësuar këto festa pagane me festat monoteiste të Fiter Bajramit dhe Kurban Bajramit.

 

Në këtë kuptim, Bajrami mbetet një festë që e lidh njeriun me Zotin dhe me dimensionin moral të jetës. Ndërsa Dita e Verës mbetet një kujtim i një epoke kur njeriu kërkonte në rituale dhe simbole atë siguri që në monoteizëm gjendet vetëm tek besimi në Zotin.

 

Në fund, pyetja nuk është vetëm çfarë festojmë, por çfarë kuptimi i japim festimit. Sepse festat, në thelb, tregojnë se ku e vendos njeriu shpresën dhe besimin e tij: tek rituali, apo tek Zoti.

XS
SM
MD
LG