Lidhje


Dy vjet burg për Fredi Belerin/ Rama drejt zgjedhjeve të reja në Himarë

Shpallja fajtor e Fredi Belerit është një vendim i marrë shumë kohë më parë jashtë sallës së gjyqit, por sot gjykata finalizoi procesin, duke i dhënë dënimin me 2 vite burg , kandidatit grek të opozitës për Himarën. Për bashkëpuntorin e tij Pandeli Kokaveshin gjykata vendosi dënimin me 2 vite burg, por të konvertuar në 3 vjet shërbim prove. Në momentin kur trupi gjykues i përbërë nga Erjon Çela, Flora Hajredini dhe Irena Gjoka shpalli vendimin, salla e mbushur me votues dhe mbështetës të Belerit në himarë shpërtheu në thirrjet “Turp! Turp!”.

 

Vendimi për Belerin nuk pati asnjë surprizë. Madje vetë i pandehuri në mesazhin që kishte përgatitur për ta lexuar në sallën e gjyqit e paralajmëron këtë.

 

“Kërkesa e prokurorisë nuk ka aspak qëllim për të bërë drejtësi. Qëllimi I saj i vetëm është dënimi im me burg për aq kohë sa i duhet Kryeministrit të bëjë zgjedhje të reja në Himarë” deklaroi Beleri duke parashikuar se edhe në zgjedhjet e reja, rezultati do të jetë i njëjtë në Himarë.

 

Nga fillimi i majit të vitit 2023, në kulmin e fushatës për zgjedhjet lokale, kandidati i opozitës Fredi Beleri u shndërrua në targetin kryesor të etiketimeve dhe ofendimeve të kryeministrit Edi Rama, kur ai konstatoi një pjesëmarrje të ulët në takimet e Partisë Socialiste dhe kuptoi se në Himarë e priste humbja.

 

Rama i nisi ofendimet si “gdhë”, “dru”, “analfabet”, që në takimin e Himarës dhe i vazhdoi ato në Lushnjë, Fier, Vlorë dhe Tiranë. Madje në intervistat që dha në ditët e fundit të fushatës paralajmëroi se do të merrej personalisht me Belerin dhe mbështetësit e tij, duke e shndërruar një prej kandidatëve të opozitës në synimin kryesor të fushatës së tij si kryetar i Partisë Socialiste.

 

Më herët, Beleri kishte pasur një mbështetje të konsiderueshme edhe nga kryeministri i Greqisë, Qirjako Micotaqis që gjatë një vizite në Himarë kishte zgjedhur të shoqërohej nga Fredi Beleri. Të dy u panë të koordinuar kur folën për “helenizmën” në Himarë, si një emërtim për qytetarët që vetëdeklarohen me origjinë greke dhe që kishin pasur probleme me pronat e tyre.

 

Duke qenë se Himara është një nga bashkitë me më shumë investime të biznesit të madh dhe duke parë sponsorizimin e shtetit grek për kandidaturën e Fredi Belerit, Rama angazhoi të gjitha mekanizmat shtetërore për të bllokuar fitoren e tij. Në operacion u përfshinë forcat operacionale të policisë, prokuroria e Vlorës, SPAK-u dhe gjykatat e posaçme./Lapsi.al

XS
SM
MD
LG