Shqipëria e ekstremeve, dikush bën abort selektiv e dikush vret në mënyrë të llahtarshme foshnjen e vet/ Krujë 42 vjeçarja ka hedhur në lumin Tapizë foshnjen e sapolindur
Një ngjarje tronditëse është shënuar ditën e sotme në Krujë, ku një 42-vjeçare pasi ka sjellë në jetë foshnjën e saj e ka futur në qese dhe e ka hedhur në lumin Tapizë.
42-vjeçarja e ka lindur fëmijën në kushte shtëpie, ndërsa askush nuk e dinte se ishte shtatzënë. Madje edhe bashkëshorti i saj para uniformave blu është shprehur se nuk e ka ditur që gruaja ishte shtatzënë. 42-vjeçarja nënë e pesë fëmijëve, pas lindjes ka shkuar në spital pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore, ku mjekët kanë zbuluar se gruaja s’kishte shumë orë që kishte lindur.
Ajo para hetuesve është shprehur se fëmija ka lindur i vdekur dhe ndaj e ka hedhur në lum, teksa ka refuzuar të tregojë se ku e ka hedhur ekzaktësisht, duke pretenduar se nuk e mban mend.
Policia ka nisur kërkimet në lumin e Tapizës, por foshnja nuk është gjetur pasi dyshohet se e ka marrë rrjedha e lumit. Hetuesit e kanë marrë me rezerva deklaratën e saj që fëmija ka lindur i vdekur dhe për këtë arsye po hetohet për veprën penale “vrasja e foshnjes”.