Tragjedi e tmerrshme në Shkodër/Nëna me 3 fëmijët u hodh nga ura e Bunës pas dhunës së bashkëshortit
Një ngjarje tronditëse që nuk është dëgjuar më parë në Shqipëri, në kufijtë e të pabesueshmes, ka ndodhur në Shkodër. Dhuna në familje është bërë shkak që nëna me 3 fëmijët t’i japë fund jetës, pasi dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Bunë pranë Darragjatit së bashku me fëmijët e saj. Deri më tani është gjetur trupi i vajzës 9-vjeçare, ndërsa e zhdukur rezulton edhe nëna Alma Arrazi bashkë me dy fëmijët e tjerë, një vajzë 8 vjeç, dhe një djalë 3 vjeç. Në pranga është vënë babai Ergys Arrazi, një ish i dënuar për kultivim të bimëve narkotike.
Motra e gruas me tre fëmijë, ka thënë në polici, se Alma Arrazi dhunohej barbarisht nga burri. Ka qenë vetë 31-vjeçari Erys Arrazi, i cili ka denoncuar në polici më datë 3 maj se gruaja dhe 3 fëmijët janë larguar nga banesa, por pa dhënë detaje të tjera.
Në denoncimin e tij, Arrazi ka deklaruar se gruaja është larguar që prej datës 2 maj. Kërkimet kanë nisur menjëherë pas kallëzimit të bashkëshortit, ku mbrëmjen e djeshme, 4 maj, u gjet nga peshkatarët vajza 9-vjeçare.
Dyshohej se në trup dhe në fytyrë vajza kishte shenja dhune. Policia thotë se ajo është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj, i cili tashmë është arrestuar për shkaktim të vetëvrasjes.
Kurse Alma Arrazi 39 vjeçe, me vajzën tjetër 8 vjeçe dhe djalin e vogël 3 vjeç nuk janë gjetur akoma. Polumbarët e ReNEA-s po kërkojnë trupat e tyre nga Buna deri në Velipojë, në grykëderdhjen fundore, pasi dyshojnë se edhe ata mund të jenë vetëmbytur.
Nga dëshmitë e para, mësohet se gruaja me të vegjlit, ditën që është zhdukur, kishte pirë kafe me kunatën, nusen e vëllait të Ergysit, por janë ndarë, pa ngritur asnjë dyshim për vendimin fatal. Dyshohet se ajo ka mbajtur fort fëmijët për dore, dhe është hedhur bashkë me ta nga Ura e Bunës.
Sipas një dëshmie tjetër, thuhet se e reja kishte mësuar se fundmi se bashkëshorti e tradhtonte me një grua tjetër. Ai, po sipas burimeve, e nxirrte live te dashurën e tij në celular, dhe ia tregonte vajzës së madhe.
Kur ka mësuar për gjetjen e trupit të pajetë të së bijës, Ergys Arrazi ka qenë i ftohtë dhe pa asnjë reagim dhe ka mohuar dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve dhe gruas.
Ergys Arrazit është vëllai i Edison Arrazi, ky i fundit i dënuar për posedim kanabisi. Vëllai i Arrazit ishte akuzuar për vrasjen e Endri Mustafës me 6 plumba në trup më 17 maj 2021, në zonën e Livadheve të Shkodrës. Por, ai u la në burg vetëm për kanabisi, pasi nuk pati prova ndaj tij, si i përfshirë në ngjarje./Nga reporttv