Hakerët nga Rusia kanë sulmuar faqet e institucioneve të Kosovës, të cilat gjatë ditës nuk kanë qenë në funksion.Sipas njoftimit nga qeveria, cak i sulmeve ka qenë faqja e Presidencës dhe Kryeministrisë, të cilat edhe janë rikthyer shpejt në funksion.Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se ka ndodhur pas deklaratave të tij kundër Rusisë.“Ky grup i hakërreve rus ka zhvilluar sulm kibernetik kundër Kosovës si hakmarrje ndaj deklaratës time në mbështetje të Ukrainës”, ka deklaruar Maqedonci për RTK, i cili ka qëndruar në Poloni në Konferencën e mbrojtjes “Defense 24”.
Në reagimin e hakerëve rusë përmendet edhe fjalimi i ministrit Maqedonci, i cili ka thënë, sipas tyre, se “Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmë ushtarake Ukrainës”.
“Kosova është e gatshme t’i bashkojë përpjekjet kolektive për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Ata duhet të mendojmë më shumë për këtë…”, kanë shkruar rusisht këta hakera duke përmendur ministrin Maqedonci.
Po ashtu një grup i njohur i hakerëve pro-rusë kanë vënë në shënjestër faqen e internetit të kryeministres italiane, Giorgia Meloni, transmeton Anadolu.
Agjencia shtetërore e lajmeve ANSA raportoi se sulmet kibernetike nga grupi NoName057 (16) shënjestruan gjithashtu faqet e internetit të ministrive të ekonomisë dhe të infrastrukturës, si dhe të Policisë Financiare.
Media italiane tha se Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike ka njoftuar autoritetet përkatëse për këtë çështje dhe po punon për t’iu përballur efekteve të sulmeve, duke shtuar se sulmet kibernetike nuk kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha.
NoName057 (16) është një grup hakerësh pro-rusë që u deklarua për herë të parë në mars të vitit 2022.
Deri më tani, grupi ka marrë përgjegjësinë për sulmet të shumta kibernetike ndaj agjencive qeveritare të Ukrainës, SHBA-së dhe vendeve të Evropës, si dhe mediave dhe kompanive private./Nga AA dhe rtv Besa