Pas Danimarkës edhe Austria dëshiron të dërgoj të burgosurit në Kosovë, reagon KMDLNj: A po bëhet Kosova burg i madh ndërkombëtar?!
Thursday, 09 May 2024 10:26
Qeveria aktuale e Kosovës po e vazhdon zbatimin e një Marrëveshjeje kriminale dhe raciste me Mbretërinë e Danimarkës për lëshim me qira të Qendrës së Paraburgimit në Pasjak të Gjilanit ku, për fillim do tê vendoseshin 300 të dënuar në Danimarkë për vepra të rënda penale dhe të cilët Danimarka me çdo kusht do t'i transferojë në Kosovë për faktin se nuk po kanë kapacitet t'i risocializojnë. Asnjëri nga të dënuarit që do të transferohen në kundërshtim me vullnetin e tyre nuk është danez apo shtetas danez, të gjithë janë nga shtetet tjera, kryesisht arabe, të Afrikës apo shteteve të pazhvilluara e që konsiderohen që paraqesin rrezik për Mbretërinë e Danimarkës. Shuma që këta të burgosur i shiten Kosovës është e papërfillshme, afërsisht 200 milionë euro.
Ky trafikim legal me qenie njerëzore midis Kosovës dhe Danimarkës është kundërshtuar në Danimarkë nga aktivistë për të drejtat e njeriut kurse në Kosovë, që nga fillimi është kundërshtuar fuqishëm vetëm nga KMDLNj. Komiteti për Parandalimin e Torturës i Kombeve të Bashkuara e ka kundërshtuar këtë Marrëveshje shkaku se i shkelë të drejtat e njeriut dhe ka kërkuar nga qeveria e Danimarkës ta anulojë këtë Marrëveshje. Qeveria e Kosovës, në mungesë të skajshme të transparencës mundohet ta kontrabandojë Marrëveshjen si ndërkombëtare që i sjellë dobi të madhe materiale duke e akuzuar opozitën se me mosvotim po ia humbin Kosovës 200 milionë euro ndonëse dëmi që i bëhet Kosovës është shumëfish më i madh dhe drejtpërdrejtë ka pasoja për sigurinë e vendit.
Ministria e Drejtësisë paskrupullt po e dezinformon opinionin për këtë Marrëveshje duke fshehur faktin se brenda vendi po i legalizon dy sisteme korrektuese, i Kosovës që po diskriminohet dhe ai i Danimarkës që realisht po e ka statusin e Ambasadës apo të territorit ekstraterritorial ku institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë qasje dhe ku lrgjislacioni i Kosovës zëvendësohet me ate të Danimarkës. Asnjë shtet normal nuk do ta pranonte këtë. Për KMDLNj është i habitshëm fakti se deputetët e Kuvendit të Kosovës as që e dinë përmbajtjen e kësaj Marrëveshjeje dhe rrjedhimisht nuk i konsiderojnë as pasojat që dalin nga kjo prandaj nuk e kanë ndërmarrë asnjë veprim ta kundërshtojnë këtë.
MD e Kosovës brutalisht po gënjen për këtë Marrëveshje përmes instrumentalizimit të deputetëve të pozitës dhe injorancës së deputetëve të opozitës. Qevetia daneze është raciste dhe brutalisht po i shkelë të drejtat e të burgosurve që po ia shet Kosovës. Me këtë Marrëveshje më së shumti humbin Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe të dënuarit kosovarë që do të vëhen në raport shumë diskriminues krahasuar me stafin korrektues danez dhe të dënuarit jodanezë në Burgun e Gjilanit.
Duke parë batakqillëkun e institucioneve të Kosovës, edhe Mbretëria e Belgjikës kishte menduar të veprojë si Danimarka po që ky propozim të mos refuzohej nga kryeministri i këtij vendi. Së fundi edhe Austria po e shqyrton si mundësi që të teansferojë të burgosurit problematikë e që nuk janë austriakë, në Kosovë.
Vendet me paqëndrueshmëri ekonomike dhe politike po iu nënshtrohen vendeve të fuqishme duke pranuar marrëveshje të dëmshme, Anglia po i dërgon refugjatët në Ruanda ( Afrikë ) sikur edhe të burgosurit një pjesë e të cilëve dhunshëm po i kthejnë në Shqipëri. Italia po o dërgon refugjatët dhe të burgosurit në Shqipëri sikur që Danimarka, mbase Austria dhe ndonjë shtet tjetër do ta blejnë ndonjë burg për të transferuar, në kundërshtim me të drejtat e njeriut të burgosur që duan të lirohen nga ta. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të kundërshtojnë të votojnë Marrëveshjen ne Danimarkën si dhe marrëveshjet thera të ngjashme sepse në mënyrë flagrante i shkelin të drejtat e njeriut! Kështu shprehimisht e cilësojnë raportet e besueshme kombëtare dhe ndërkombëtare./Nga rtvBesa