Një përmbledhje lajmesh nga kronika e ngjarjeve problematike
Fier- Një 49 vjeçare në Fier ka plagosur me thikë të atin. Ajo është vënë në pranga nga policia, kurse babai i saj ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. “Komisariati i Policisë Fier arrestoi shtetasen A. S., 49 vjeçe, banuese në fshatin Ferras, pasi për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), babanë e saj, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.
Vlorë-Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë së Njësisë Speciale të Kufirit dhe Emigracionit “Delta“ Radhimë, Inspektor E. B., 40 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Arrestimi i punonjësit të policisë u krye pasi rreth orës 14:00 datë 09.05.2024, duke lëvizur me motomjetin e tij, ka aksidentuar në vendin e quajtur “Ish-Aulona”, në aksin rrugor të “Lungomares”, shtetasin me iniciale N. RR., 75 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kokë.
Tiranë-Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në Tiranë, ku dy vajza ukrainase janë gjetur pa shenja jete në banesë. Autoritetet policore raportojnë se viktimat janë shtetaset ukrainase Antonina Kozachenko, 25 vjeçe dhe Anastasia Lopukhova, 40 vjeçe. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:35, në Rrugën e Dibrës, tek “Selvia”.