Lidhje


Reuters: Macron trysni Kanadasë të lehtësojë sanksionet ndaj titaniumit të importuar nga Rusia

Agjencia e lajmeve Reuters njofton se presidenti francez Emmanuel Macron ndërhyri personalisht për të bindur kryeministrin kanadez Justin Trudeau që të ndihmojë kompaninë Airbus dhe kompanitë e tjera të aeronautikës, duke i përjashtuar nga sanksionet e vendosura ndaj titaniumit rus, thanë tre persona në dijeni të çështjes.

 

Kërkesa delikate u bë gjatë një telefonate mes dy udhëheqësve në muajin mars, disa javë pasi Kanadaja, në dallim nga vendet e tjera aleate, vendosi sanksione ndaj importit të këtij metali strategjik, duke alarmuar kompaninë franceze Airbus dhe kompanitë e tjera që ende mbështeten tek furnizimet ruse për fabrikat e gjendura në Kanada apo vende të tjera.

 

Një person i afërt me zotin Macron tha se presidenti francez pati bërë një “përpjekje domethënëse” për ta bindur zotin Trudeau që të bënte një përjashtim për kompanitë evropiane.

 

“Mesazhe të shumta u shkëmbyen në të gjitha nivelet”, tha personi i afërt me presidentin francez, duke iu referuar trysnisë së gjerë diplomatike dhe industriale.

 

Një kanadez në dijeni të çështjes tha se zoti Macron e ngriti këtë çështje gjatë një telefonate me zotin Trudeau në 29 mars, përpara vizitës së kryeministrit francez Gabriel Attal, i cili gjithashtu e trajtoi këtë çështje gjatë takimeve në Kanada. 

 

Për ta mbështetur këtë lobim, ndërhyri të paktën edhe një tjetër qeveri evropiane, tha një person i tretë.

 

Otava fillimisht rezistoi, por brenda disa ditëve ndryshoi politikën e saj duke përjashtuar nga sanksionet kompaninë Airbus dhe disa kompani të tjera. Kjo zbutje e sanksioneve, e njoftuar për herë të parë nga agjencia e lajmeve Reuters, shkaktoi mosmarrëveshje për politikat e sanksioneve dhe u kritikua nga ambasadorja e Ukrainës.

 

“Nuk ishte e lehtë të hiqeshin sanksionet. Mendoj se nëse qeveria franceze nuk do ta kishte ngritur vazhdimisht çështjen në atë nivel, do të kishim qëndruar mjaft të vendosur”, tha burimi kanadez.

 

Zyrat e të dy udhëheqësve refuzuan të komentojnë dhe kompania Airbus tha se ishte “në përputhje me të gjitha sanksionet e vendosura në lidhje me Rusinë”.

 

Burimet folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

 

TË KAPUR TË PAPËRGATITUR

 

Përpjekja e nivelit të lartë për të ruajtur furnizimin me titaniumin rus nxjerr në pah se sa e vështirë është për vendet perëndimore të ndëshkojnë Rusinë për luftën e saj në Ukrainë, pa dëmtuar zinxhirët e furnizimit të sektorëve industrialë, për të cilët duhen hartuar plane disa vite më herët.

 

Kompania VSMPO-AVISMA, që mbështetet nga shteti rus, është historikisht prodhuesja më e madhe e titaniumit që përdoret në hapësirën ajrore, forca dhe pesha e lehtë e të cilit e bëjnë atë ideal për pjesët e motorit dhe pajisjet e uljes për avionët e mëdhenj.

 

Heqja dorë e industrive nga titaniumi rus dhe mineralet e tjera jetike të prodhuara në vende si Kina, po rezulton i vështirë.

 

“Problemi është se një fabrikë e re titaniumi… kërkon vite për t’u ndërtuar dhe mund të duhen një ose dy vite për t’u çertifikuar”, tha Kevin Michaels, drejtor i firmës AeroDynamic Advisory.

 

Ndërsa Perëndimi ka rritur sanksionet ndaj Moskës, ai ka shmangur në të kaluarën bllokimin e qasjes tek produktet e specializuara të VSMPO-së nga frika se mos dëmtonte industritë perëndimore të hapësirës ajrore. 

 

Vendimi i papritur i Kanadasë për të ndaluar importet nga VSMPO-ja përkoi me përvjetorin e dytë të sulmit rus në Ukrainë dhe e kapi industrinë e hapësirës ajrore në befasi.

 

Telefonatat e tensionuara me Otavën filluan “menjëherë, realisht në të njëjtën ditë”, tha një burim i dytë kanadez.

 

Kompania Airbus e gjeti veten në vijën e parë. Të gjitha pajisjet e uljes për avionin e saj kryesor A350-1000 vijnë nga një fabrikë e vetme në Ontario.

 

“Kompania Airbus ishte një nga zërat më të mëdhenj që lobonte dhe ata e bënë këtë edhe përmes qeverisë franceze”, tha burimi i parë kanadez. Zyrtarët e kompanisë Airbus dhe zyrtarët francezët nuk pranuan të komentojnë.

 

Vendimi i Kanadasë tronditi zinxhirin e furnizimit.

 

PËRSHKALLËZIMI I PASOJAVE

 

Kompania gjigande amerikane e hapësirës ajrore RTX RTX.N është përgjegjëse për ndërtimin e pajisjeve të uljes së avionëve A350-1000, në uzinën në Oakville, të filialit të saj Collins Aerospace, në afërsi të Torontos.

 

Pas vendimit të Otavës për të ndaluar titaniumin rus, kompania Collins ndaloi marrjen e lëndëve të para, thanë burimet.

 

Kompania RTX refuzoi të komentojë. Në prill u desh të paguhet një tarifë shtesë prej 175 milionë dollarësh për të mbuluar furnizimet e reja, pjesërisht për shkak të sanksioneve kanadeze.

 

Sanksionet e Kanadasë mund të kenë dëmtuar gjithashtu rivalen e kompanisë Airbus, kompaninë amerikane Boeing BA.N, por veprimtaria e saj prodhuese nuk u dëmtua për shkak të një përjashtimi të dhënë kompanisë furnizuese franceze të pajisjeve Safran SAF.PA, thanë burime nga kjo industri.

 

Kompania Boeing njoftoi në mars 2022 se kishte ndaluar blerjen e titaniumit direkt nga Rusia dhe shihet gjerësisht si më pak e ekspozuar ndaj kësaj teme politikisht të ndjeshme, krahasuar me kompaninë rivale evropiane.

 

Por ashtu si kompania Airbus, edhe kompania Boeing blen pajisje uljeje të prodhuara në Kanada për avionët 787 Dreamliner. Dy burime të industrisë thanë se uzina e zonës së Torontos e drejtuar nga Safran SAF.PA vazhdon të mbështetet në titaniumin e VSMPO-së, ndërsa kompania po përpiqet të gjejë burime të reja në Evropë.

 

Gjatë prodhimit të avionëve Boeing 787 Dreamliner

Gjatë prodhimit të avionëve Boeing 787 Dreamliner

 

Kompania Safran tha muajin e kaluar se kishte përfituar një përjashtim nga sanksionet kanadeze në një lëvizje që ekspertët e zinxhirit të furnizimit thanë se do ta lejonte atë të vazhdonte furnizimin me pajisje uljeje për avionët 787 të kompanisë Boeing.

 

Kompania Safran refuzoi të bëjë komente të mëtejshme.

 

Kompania Boeing ia referoi firmave furnizuese pyetjet në lidhje me ekspozimin ndaj Rusisë të firmave nënkontraktore.

 

“Boeing-u aktualisht merr titanium në Shtetet e Bashkuara… dhe vazhdojmë të ndërmarrim hapa për të siguruar një vazhdimësi afatgjatë”, tha një zëdhënës.

 

Kompania Airbus, e cila tha në dhjetor 2022 se do të heqë dorë nga titaniumi rus brenda “disa muajsh dhe jo disa viteve”, tha se po punonte intensivisht për të ulur varësinë, por nuk pranoi të jepte një datë të caktuar se kur do t’ia arrijë kësaj.

 

“Kjo tashmë është në proces dhe po realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha një zëdhënës.

 

Kanadaja nuk ka thënë se kur do të skadojnë përjashtimet e dhëna nga sanksionet, por një person në dijeni të çështjes tha se janë dhënë për këtë industri leje trevjeçare që i përjashtojnë nga sanksionet. Ukraina u ka kërkuar vendeve perëndimore të thellojnë sanksionet e tyre.

 

Disa kanë frikë se mosmarrëveshja me Kanadanë mund të përkeqësojë një dilemë tjetër për firmat e hapësirës ajrore: ankesat kundër sanksioneve nxjerrin në pah varësinë e tyre për materialet strategjike nga vendet eksportuese, të cilat nga ana e tyre mund ta përdorin këtë fuqi për t’iu kundërpërgjigjur Perëndimit.

 

Kina tha të enjten se do të vendosë kufizime ndaj eksporteve të disa komponentëve të rëndësishëm për aviacionin dhe hapësirën, duke filluar nga 1 korriku./ voa

 

 

 
XS
SM
MD
LG