Sulmi izraelit vret 11 vetë, SHBA thirrje Hamasit dhe Izraelit të pranojnë akordin
Sulmet izraelite vranë të paktën 11 persona natën mes së dielës dhe së hënës, përfshirë një grua dhe tre fëmijë në qendër të Gazës.Lajmin e bënë të ditur zyrtarë palestinezë. Fillimisht, një sulm ndaj një banese të ngritur në një kamp refugjatësh vrau 4 personat, tre gratë dhe fëmijën.
Ndërsa sulmi i dytë, në orët e para të së hënës vrau 7 persona, përfshirë një grua, në një tjetër kamp refugjatësh.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi në orët e fundit se trupi i një personi që dyshohet se ka qenë një peng i Hamasit u gjet në një komunitet në afërsi të kufirit me Gazën.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka nxitur Izraelin dhe Hamasin që të pranojnë akordin e ri për një armëpushim në këmbim të lirimit të pengjeve.
Bëhet fjalë për përpjekjen më të fundit të Uashingtonit për të ndalur aktet armiqësore në Gaza që zgjasin që prej 7 tetorit të vitit të kaluar.
Në një bisedë telefonike me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe anëtarin e kabinetit të luftës Benny Gantz, Blinken theksoi se Hamasi duhet ta pranojë propozimin pa asnjë vonesë.
Të premten, presidenti Joe Biden deklaroi se shteti hebre i kishte ofruar lëvizjes islamike një akord me 3 faza, duke theksuar se ishte koha që luftimet në Gaza të merrnin fund, pasi grupi ekstremist nuk është më në gjendje të kryejë sulme në shkallë të gjerë ndaj Izraelit.
Ndërsa Hamas ka deklaruar se e sheh propozimin me optimizëm, edhe një këshilltar për çështjet e jashtme të Benjamin Netanyahut ka lënë të kuptohet se kryeministri izraelit po e shqyrton atë, pasi synon lirimin e pengjeve./EN