Koçiu: Rreth 300 mjekë dhe infermierë në qendrat shëndetësore verore nga Thethi në Ksamil
Rreth 300 mjekë dhe infermierë do të jenë në shërbim të qytetarëve në 34 qendrat shëndetësore verore, te cilat janë hapur nga 1 qershori në shërbim të turistëve vendas e të huaj, nga Thethi në Ksamil.Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale shembujt e tre infermierëve, të cilët shërbejnë në këto qendra shëndetësore verore.
Ervina, Bledari dhe Fatilba janë mjekët dhe infermierët të cilët bashkë me rreth 300 kolegët e tyre do të jenë në shërbim të qytetarëve në 34 Qendrat Shëndetësore verore, të cilat janë hapur nga 1 qershori në shërbim të turistëve vendas e të huaj, nga Thethi në Ksamil.
Në videon e publikuar nga Koçiu, infermierja Ervina Osmani theksoi se “punoj për herë të parë në qendrën shëndetësore verore “Currila” nga ku do të presim pushuesit tanë në këtë sezon turistik veror”.
Infermieri Bledar Myftari, i cili shërben në qendrën shëndetësore verore “Currila” u shpreh se është eksperienca e parë e tij në shërbim të turistëve.
“Është hera e dytë që shërbej në qendrat shëndetësore verore. Vitin e kaluar kam shërbyer në “Currila”, këtë vit shërbej në Hamallaj, e hapur për herë të parë”, tha doktoreshë Fatilba.
Qendrat e reja verore të çelura për herë të parë në 2024-n janë ato në Hamallaj, Radomirë, Jalë dhe Bogë. Në veri të vendit funksionojnë 10 qendra, në Shqipërinë e Mesme 9 qendra shëndetësore dhe në zonën e jugut 15 të tjera.
Urgjenca ka vendosur në dispozicion të pushuesve 20 postacione fikse me autoambulanca në zonat turistike. Ndërsa për herë të parë shërbejnë në këtë sezon motoambulancat./oranews