Kur dhunuesi bën si viktimë!!/Zyrtari izraelit rekomandon klasifikimin e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë si “organizatë terroriste”
Një zyrtar i lartë izraelit ka rekomanduar që qeveria ta klasifikojë Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) si një “organizatë terroriste”, transmeton Anadolu.
Transmetuesi publik izraelit KAN tha se i dërguari izraelit në OKB, Gilad Erdan, tha se rekomandimi ishte si përgjigje ndaj vendosjes së Izraelit në listën e zezë të OKB-së si një etnitet që shkel të drejtat e fëmijëve në zonat e konfliktit.
KAN tha se Izraeli po shqyrton masat shtesë për t’iu përgjigjur OKB-së, duke përfshirë ndërprerjen e lidhjeve me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Erdan gjithashtu sugjeroi që qeveria t’u refuzojë vizat zyrtarëve të OKB-së dhe krerëve të agjencive të OKB-së, si dhe t’i pengojë ata të punojnë në Bregun Perëndimor.
Më herët, Erdan njoftoi se Guterres shtoi ushtrinë izraelite në listën globale të shkelësve që kanë cenuar të drejtat e fëmijëve, duke shënuar herën e parë që Izraeli u shtua në listën që njihet si “lista e turpit”, pavarësisht thirrjeve nga grupet e të drejtave për ta shtuar Izraelin në listë disa vite më parë.
Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza që nga sulmi i grupit palestinez Hamas më 7 tetor, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm. Të paktën 36.700 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe mbi 83.500 të tjerë janë plagosur.
Tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionet në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./AA