Ishte nisur drejt Vjenës, stuhia e breshërit shkatërron avionin me 173 pasagjerë
Një avion i "Austrian Airlines" u dëmtua rëndë nga breshri kur u godit nga një stuhi e fortë ditën e djeshme.Avioni me 173 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit që ishte nisur nga Palma de Mallorca në Spanjë për në Vjenë të Austrisë u godit nga stuhia kur po i afrohej kryeqytetit austriak.
Komandanti dhe oficeri i parë shpallën gjendjen e jashtëzakonshme dhe kërkuan përparësi në ulje. Gjatë stuhisë, xhami i përparmë dhe radari i motit u dëmtuan rëndë, ndërkohë që pjesa përpara e avionit u shkatërrua plotësisht.
Anëtarët e ekuipazhit thanë se stuhia nuk ishte e dukshme në radarin e motit, por për fat të mirë avioni arriti të ulej i sigurt në pistën e aeroportit.
Kjo ngjarje vjen pas një incidenti muajin e kaluar në avionin e Singapore Airlines, kur një pasagjer vdiq dhe më shumë se 70 u plagosën pasi avioni u godit nga turbulenca të forta. Më vonë të njëjtën javë, 12 persona u plagosën në një fluturim të Qatar Airways nga Doha në Dublin, po nga turbulencat./JOQ