Ministri gjerman i mbrojtjes: Gjermania nuk mund t'i dorëzojë më shumë sisteme raketore Patriot Ukrainës
Gjermania nuk mund t’i dorëzojë më shumë sisteme raketore Patriot Ukrainës për shkak të kapaciteteve të saj të kufizuara, tha sot ministri i Mbrojtjes i vendit Boris Pistorius, raporton Anadolu.
Duke folur me gazetarët përpara një takimi ministror të NATO-s në Bruksel, Pistorius tha se Gjermania deri më tani i ka dorëzuar dy njësi Patriot Ukrainës dhe se është në proces të dorëzimit të një njësie të tretë.
"Ne tashmë kemi ofruar tri sisteme (Patriot), që do të thotë një e katërta e kapaciteteve tona. Pra, nuk ka hapësirë për të ofruar më shumë se ato tri sisteme", tha Pistorius.
"Ne kemi dhënë shumë, por të tjerët ndoshta mund të bëjnë më shumë", shtoi ai.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u ka bërë vazhdimisht thirrje aleatëve perëndimorë që të rrisin mbështetjen e tyre ushtarake dhe veçanërisht t’i ofrojnë Kievit sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore, mes sulmeve të intensifikuara ruse që kanë synuar infrastrukturën energjetike dhe ekonomike të vendit.
Zelenskyy ka thënë se atyre u duhen të paktën shtatë sisteme të tjera Patriot, ose sisteme të ngjashme të avancuara të mbrojtjes ajrore për të zmbrapsur sulmet ruse./EN