Lidhje


Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin për tatimin për profesionet e lira

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin për tatimin e profesioneve të lira. Vendimi u mor sot (27 qershor) me votën e shumicës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe u bë publike nga kryetarja Holta Zaçaj. Sipas argumentimit të Gjykatës Kushtetuese thuhet se është shkelur dhe cenuar parimi juridik. 

"Lidhur me themelin e pretendimeve të kërkuesve, Gjykata pa vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit dhe diskrecionin e tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe neni 4 i VKM-së nr. 753/2023, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike (në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës) dhe parimit të proporcionalitetit.

 

Gjykata arriti në këtë përfundim duke mbajtur në konsideratë skemën tatimore dhe ne vecanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 % ndaj kesaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore", thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese. 

 

Gjithashtu në vendimin e saj Gjykata ka vlerësuar se "norma e tatimit prej 15 % e parë së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon testin e proporcionalitetit, pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme, në kushtet kur ka masa të tjera alternative, të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategoritë e tjera të tatimpaguesve mbi të ardhurat".

 

Ligji për tatimin e profesioneve të lira ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike, ekspertët e licencuar, kontabilistët dhe avokatët, të cilët kërkonin shfuqizim e pjesshëm të ligjit me argumentin se është diskriminues, rëndon shtresën e mesme dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën.

 

Sipas ankesës ndaj këtij ligji tatimi i profesionistëve ka mbyllur qindra biznese, cenon sigurinë e bizneseve dhe do të shtrenjtojë shërbimet që ofrojnë.

 

Referuar argumentimit të tyre, pala paditëse ka shpjeguar se nuk mund të krahasohen profesionistët e lira me bizneset tregtare pasi nuk e kanë të garantuar fitimin.

 

Në Shqipëri janë 25 mijë profesionistë që preken nga ligji që hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti, ku profesionistëve iu kërkohej të paguanin 15% kush ka fitim deri 14 milionë lekë dhe 23% kush fiton mbi këtë shumë.

/rtsh.al/

XS
SM
MD
LG