Lidhje


Britani, Starmer i jep fund skemës së dëbimit të emigrantëve në Ruandë

Kryeministri i sapozgjedhur i Mbretësirë së Bashkuar Keir Starmer konfirmoi të shtunën se qeveria e tij e nuk do të zbatonte politikën e paraardhësit për të dëbuar në Ruandë azilkërkuesit, që mbërrijnë në vend me varka të vogla, duke i dhënë kështu fund skemës përpara se ajo të niste të zbatohej.



Partia e zoti Starmer ajo Laburiste fitoi thellë në zgjedhjet parlamentare të së enjtes duke i dhënë fund 14 viteve të qeverisjes shpesh të trazuar të konservatorëve.Në një konferencë për shtyp të shtunën zoti Starmer tha se "skema e Ruandës ishte e vdekur përpara se të fillonte dhe se ajo nuk i ndalonte flukset emigratorë”.

 

Ai shtoi se qeveria e tij nuk ishte e përgatitur të vazhdonte me ato që ai i quajti truke, e që nuk shërbejnë për të ndaluar problemin.

 

Vitet e fundit në Britani kanë mbërritur me dhjetëra mijëra emigrantë nga Azia, Lindjen e Mesme dhe Afrika, shumë prej të cilëve largohen për shkak të luftrave e varfërisë.

 

Ata mbërrijnë kryesisht përmes Kanalit të La Manshit me varka të vogla, në udhëtime të rrezikshme të organizuara nga banda kriminale.

 

Ndalimi i fluksit të emigrantëve ishte një prej objektivave kryesorë të qeverisë konservatore, por kritikët e kishin cilësuar të ashtuquajturin plani i Ruandës, çnjerëzor, duke i mëshuar dhe rrezikut që ky vend i Afrikës Lindore, do të paraqiste për emigrantët, për shkak të treguesve të ulët të demokracisë.

 

Zoti Starmer kishte paralajmëruar se qeveria e tij do të hiqte dorë nga plani i Ruandës, sapo të vinte në pushtet, por ekspertët thonë se ajo duhet të ofrojë zhgjidhje alternative mbi emigracionin, sikurse edhe për shqetësimet e mëdha që kanë sot britanikët, përfshirë koston e lartë të jetesës./VOA

XS
SM
MD
LG