Lidhje


Kurti: Izmiri, aty ku gjetën strehë shumë shqiptarë pas terrorit Serb

Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka ndarë përshtypjet e tij nga vizita në Izmir.
 
“Izmiri, nuk është aspak i huaj për shqiptarët. Aty gjetën strehë shumë shqiptarë e ballkanas të dëbuar nga dhuna dhe terrori i Serbisë, që pastaj ndërtuan denjësisht jetët e tyre, por nuk e harruan origjinën. Qyteti i tretë më i madh në Republikën e Turqisë të mban ngrohtë në natyrën e vetë po aq të hapur e mirëpritëse”, ka shkruar kryeministri.
 
 
Të tilla i ka vlerësuar edhe takimet me guvernatorin e Izmirit, Dr. Süleyman Elban, kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay, dhe kryetaren e Komunës së Foçës në provincën e Izmirit, Saniye Bora Fıçı, e cila është kryetarja e parë grua e kësaj komune dhe ka prejardhje shqiptare.
 
 
“Pjesë e diskutimit në secilin prej bashkëbisedimeve ishin mundësitë që i kemi e që mund t'i hulumtojmë më tej për më shumë lidhje dhe bashkëpunim ekonomik, kulturor e arsimor. Mikpritje të përzemërt na dha edhe mërgata jonë që është e shumtë dhe shumë e suksesshme, studentë që po i ndjekin studimet në Turqi, dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptare nga Izmiri, Bursa, Manisa e Stambolli”, ka shkruar tutje Kurti.
 
 
Ata, ka thënë tutje kryeministri, luajnë një rol kyç për ruajtjen e raporteve të mira dhe krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, e për çka tha se u jemi mirënjohës.
 
 
“Rol të rëndësishëm mund të luajnë edhe për zhvillimin e mëtejmë të vendit tonë, andaj i ftova që të investojnë në Kosovë”, ka shtuar Kurti.
RTK/kosovainfo
XS
SM
MD
LG