Lidhje


Akuzat se ka përfituar tendera publikë, vajza e Linda Ramës padit Berishën dhe 6 deputetët e tij për shpifje

Rea Xhillari vajza e bashkëshortes të kryeministrit Edi Rama ka kallëzuar në Gjykatën e Tiranës, Sali Berishën, me deputetët e tij, Luan Baçi, Flamur Noka, Tritan Shehu, Albana Vokshi, Edi Paloka, Edmond Spaho.  Kjo padi vjen pas akuzave që Berisha ka lëshuar në drejtim të Xhillarit si përfituese të tenderave publike

 

Shqiptarja.com ka siguruar aktpadinë që Xhillari e ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, përmes së cilës kërkon dënimin e Berishës dhe deputetëve për shpifje dhe dëmshpërblimin prej rreth 35 mijë eurosh për dëmin e shkaktuar. Berisha e akuzon vajzën e Linda Ramës, se ka përfituar tendera publikë nëpërmjet subjektit tregtar “51N4E”, një studio arkitekture me qendër në Bruksel dhe sipas tij Xhillari ka qenë pjesë e stafit dhe bashkëpunëtore për shumë vite e kësaj kompanie. 

 

Vajza e Linda Ramës thotë se është detyruar që të bëjë padi për shpifjet e fabrikuara ndaj saj, duke theksuar se Berisha vijon në mënyrë të herëpashershme të përgojojë emrin e saj në publik. 

 

 “Detyrohem të vë në lëvizje gjykatën për të ushtruar kontrollin gjyqësor, mbi një shpifje të fabrikuar ka kohë ndaj meje që e ka fillesën në muajin gusht të vitit 2016, kur plot 8 vite më parë Sali Berisha më ka akuzuar se kam marrë pjesë dhe kam përfituar tendera publikë. Sipas individit për të cilin kërkoj kontroll gjyqësor, këta tendera i kam përfituar “nëpërmjet subjektit tregtar 51N4E”, që në fakt është një studio arkitekture me qendër në Bruksel. Përgjatë këtyre 8 viteve, Sali Berisha ka vijuar në mënyrë të herëpashershme të përgojojë në publik emrin tim, duke më asociuar arbitrarisht me aktivitete, individë dhe përfitime pa asnjë lidhje me mua”, shkruan Rea Xhillari.

 

Ajo shpjegon se përse tani e ndërmerr këtë hap duke i adresuar shpifjet në gjykatë.

 

 “Në këto 8 vite, kam gjykuar që shpifjet publike ndaj meje, të konsumuara nga ana e përgojuesit tim në terrenin politik e publik, nuk meritojnë përfshirjen time. Kjo sepse së pari, nuk kam zgjedhur politikën si fushë të interesit tim dhe nuk jam jo vetëm faktor i drejtëpërdrejtë, po as i tërthortë i debatit politik. Së dyti, sepse Sali Berisha është shpallur “shpifës” me vendim gjykate në shumë raste dhe më është dukur sikur durimi ishte më i arsyeshëm se sa denoncimi i një personazhi që shpifjen e ka natyrë të dytë. Së fundi, sepse ky personazh nuk ka pushuar së shënjestruari, godituri dhe përbalturi nënën time, Linda Ramën, nga momenti që ajo zgjodhi të ishte bashkëshorte e Edi Ramës. Linda, nëna ime, është shembulli im i qytetarisë dhe profesionalizmit, modeli i përkushtimit familjar dhe dinjitetit publik”, shkruan Rea Xhillari.

 

Përpos akuzave të Berishës, deputetët e tij (që janë paditur) kanë kërkuar në datën 11. 06. 2024 një interpelancë me kryeministrin Rama për akuzat që drejtonin ndaj Xhillarit. Përpos lidhjeve me kompaninë belge, opozita e akuzonte edhe se ka përfituar tendera nëpërmjet subjektit tregtar “I RI” sh.p.k., bashkëthemeluar nga Gent Agolli.

 

“Ka përfituar 33 pagesa për kontrata publike në vlerën 1.9 miliard lekë. Ka marrë pjesë dhe përfituar tendera publike, pa figuruar pronare e drejtpërdrejtë, por e lidhur me subjekte tregtare dhe si bashkëpunëtore e tyre, ka përfituar vlera të konsiderueshme monetare prej tyre”, thuhet në akuzat e PD.

 

Rea Xhillari i hedh poshtë këto akuza.

 

“Këto deklarime të rreme dhe tejet të rënda nga ana e të paditurve në drejtimin tim, janë një ndërhyrje kriminale në jetën time dhe i shërbejnë qëllimit të denigrimit pa asnjë provë të personit tim. Ato bëhen për të krijuar në publik imazhin e një personi përfitues nga afërsia familjare me kundërshtarin e tyre politik, përmes veprimtarish të cilat nëse do të ishin të vërteta, do të ishin objekt për organet e ndjekjes penale”, sipas Rea Xhillarit.

 

Xhillari thekson në akt padi se në shtator 2011, kur kompania ka pranuar kërkesën e saj për praktikën mësimore, e Edi Rama në atë moment nuk mbante asnjë funksion zyrtar ndërsa ajo ishte thjesht një studente. Më tej, ajo nënvizon se marrëdhëniet kontraktuale me studion e projektimit 51N4E janë mbyllur plotësisht në vitin 2012.

 

 “Për të kryer Praktikën time Mësimore (apo Stazhin), kam aplikuar në studion e projektimit 51N4E në Belgjikë. Aplikimit tim për t’u pranuar si studente praktikante për një periudhë 9 mujore, kjo studio i është përgjigjur pozitivisht në Shtator të vitit 2011 Nënvizoj se Edi Rama në atë moment nuk mbante asnjë funksion zyrtar ndërsa unë isha thjesht një studente”, tha Rea Xhillari.

 

Ndërkohë, sa i takon kompanisë tjetër “I RI” sh.p.k., Xhillari thotë se bashkëthemeluesin  Gent Agolli nuk e njeh personalisht dhe as e ka takuar kurrë ndonjëherë, qoftë dhe rastësisht.

 

Berisha dhe deputetët e tij e akuzojnë Xhillarin se ka përfituar tendera publikë përmes lidhjeve me këto dy kompanive, 51N4E dhe “I RI” sh.p.k., pa figuruar pronare e tyre. Sipas opozitës, këto kompani të lidhura me vajzën e Linda Ramës kanë përfituar kontrata publike në vlerën 2.9 miliardë lekë. Madje në akuzat e tyre thuhet se “subjektet e lidhura me Xhillarin rezultojnë edhe fituese të konkurseve për ndërtimin e kullave në qendër të Tiranës, për të cilat thjeshtri i saj Edi Rama ka firmosur lejet e zhvillimit/ ndërtimi”.

SI.E.//ReportTv.al

XS
SM
MD
LG