Lidhje


Si u kap “El Mayo”, themeluesi i kartelit Sinaloa: Kurthi nga djali i El Chapo-s

Një nga baronët më të fuqishëm të drogës në botë, Ismael Zambada, lider i kartelit meksikan të Sinaloas, është arrestuar nga agjentët federalë amerikanë në El Paso të Teksasit.

 
Zambada, 76 vjeç dhe i njohur me pseudonimin “El Majo”, e themeloi organizatën kriminale bashkë me Joaquin “El Chapo” Guzman, që aktualisht ndodhet në një burg amerikan.

Bashkë me Zambadën, në pranga përfundoi edhe i biri i Guzman, Joaquin Guzman Lopez, bëri të ditur Departamenti amerikan i Drejtësisë.

 

Në shkurt, Zambada u akuzua nga prokurorët amerikanë për komplot për shpërndarjen e fentanilit, një drogë me e fortë se heroina që është konsideruar përgjegjëse për krizën e opioideve në Shtetet e Bashkuara.

 

Detajet e arrestimit të dy të kërkuarve mbeten të paqarta dhe nuk dihet ende përse ata kishin udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara.

 

Duke cituar zyrtarë amerikanë dhe meksikanë, “Wall Street Journal” raportoi se Zambada u mashtrua kur hipi në avion nga një anëtar i rangjeve të larta të Sinaloas, pas një operacioni disamujor të Departamentit të Sigurisë së Brendshme dhe FBI-së.

 

Sipas burimeve mediatike, bosi i kartelit famëkeq hipi në avion me argumentin se do të mbikëqyrte pistat ajrore të Meksikës, por avioni udhëtoi dhe u ul në El Paso, ku dhe ra në pranga.

 

Gjithçka dyshohet se ishte organizuar nga Guzman Lopez, i cili dorëzoi Zambadën tek autoritetet amerikane pasi e fajësonte për arrestimin e të atit./EN

 

XS
SM
MD
LG